Alarmi/ Trafikantët shqiptarë të kokainës po tentojnë të blejnë gjysmën e Venecias, emrat e të arrestuarve
“Shqiptarët po tentojnë të blejnë gjysmën e Venezias ose për interes të tyre, ose për llogari të të tjerëve, ose për të pastruar paratë e pista. Në Venezia ka një kërkesë të lartë të shqiptarëve që duan të blejnë hotele e restorante në qëndrën historike të saj e kjo ka shqetësuar institucionet, turizmin lokal, sipërmarrësit vendas e qytetarët”.
Ky ishte alarmi i lëshuar pak muaj më parë nga Federata e Sipërmarrësve Venecianë e presidenti i saj Roberto Magliocco, i cili ka informuar se mbi shqetësimin e tyre po hetojnë autoritetet policore italiane.
E ky paralajmërim shfaqet i rrezikshëm nga operacioni i ekzekutuar pak orë më parë në Venezia, i cili ka zbardhur një trafik kokaine në qëndrën historike të Venecias, i menaxhuar nga trafikantë shqiptarë, kreu i të cilëve është pronar hoteli.
Kokaina trafikohej me barka përmes kanalit të Venezias duke garantuar një xhiro biznesi të majmë që u kishte lejuar të blenin apartamente e hotele në qëndrën historike të qytetit,
Operacioni “Fontego” çoi në urdhër arrestimin e 13 shqiptarëve për një aferë droge e stimuar mbi 1 milionë euro.
Çdo gram kokainë shitej minimumi 35 euro e klientët e tyre ishin të gatshëm të shpenzonin dhe 100 euro për të blerë kokainë të cilësisë mjaft të pastër.
Struktura kriminale / hoteleri
Grupi kriminal i trafikantëve shqiptarë ishte i strukturuar në tre nivele. Në krye të tij qëndronte shqiptari Kol Bushpepa, pronar apartamentesh e bad&breakfast në zonën Mestre e Maghera të Venezias e që sipas investiguesve italianë janë blerë me paratë e drogës.
Gjatë operacionit në banesën e tij u gjetën 70 mijë euro cash. Bushpepa garantonte dhe blerjen e menaxhimin e sasisë së kokainës që vinte zakonisht nga Milano.
Përmes avokatëve të tij shqiptari Kol Bushpepa ka mohuar akuzat duke deklaruar se apartamentet e hoteli që zotëronte janë pronësi e bashkëshortes së tij, e cila i ka blerë me të ardhura të ligjshme.
Niveli i dytë janë korrierët e drogës, shqiptarët e arrestuar Erjon Tusha, 33 vjeç, Erald Tusha, 32 vjeç, Salih Dauti, 33 vjeç Fation Çaushaj, 29 vjeç, Gasper Maklaj, 30 vjeç, Shkelzen Meshi, 32 vjeç, Taulant Osmani, 35 vjeç, Emiliano Sterkaj, 34 vjeç, Brunilde Tusha, 30 vjeç, e Olsi Veizi, 29 vjeç.
Në banesën e kushërinjve Tusha, Antidroga italiane sekuestron 3 kg kokainë e sapo ardhur nga Milano.
Përveç Kolë Bushpepës, të gjithë shqiptarët e tjerë kyrejnë punë të thjeshta si punëtorë, muratorë, transportues etj.
Ata shfrytëzonin punën e tyre për të fshehur dozat e drogës në arkat me fruta që transportonin nga njëra anë e kanalit të Venezias në anën tjetër.
Kokaina u shpërndahej pronarëve të restoranteve, lokaleve, kuzhinierëve e motoskafistëve që punonin në kanalin venecian.
Niveli i tretë janë konsumatorët e kokainës që për të siguruar dozën e përditshme të drogës shisnin e trafikonin kokainë për klientë të tjerë.
Hetimet e operacionit “Fontego” zbardhën se trafikantët shqiptarë vinin të gjithë nga i njëjti qytet shqiptar gjë që i mbante mjaft të lidhur si një klan familjar duke e konsideruar njëri tjetrin vëllezër.
Nën hetim janë vënë dhe 4 shtetas italianë me një rol anësor në aktivitetin kriminal të këtij grupi trafikantësh.