Avioni rrëzohet pak çaste pas ngritjes në fluturim, shpëtojnë mrekullisht 101 pasagjerët në Meksikë
Një avion me 101 persona në bord është rrëzuar vetëm pak momente pas ngritjes në fluturim në Meksikë, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë viktimë. Përmes rrjetit social “Twitter”-it, guvernatori Jose Aispuro njoftoi se edhe pse nuk ka asnjë të vdekur, 85 prej tyre janë plagosur, dy prej të cilëve në gjendje kritike. Emrat dhe kombësitë e pasagjerëve nuk janë bëreë publike.
Fluturimi “AM2431” i kompanisë “Aeromexico” ishte nisur nga Aeroporti ndërkombëtar “Victoria” i Guadalupes, me destinacion Mexico Cityn.
Avioni u rrëzua shumë pranë aeroportit, pak çaste pasi ishte ngritur nga pista.

Operatori i aeroportit “Grupo Aeroportuario Centro Norte” njoftoi se të dhënat paraprake tregojnë se moti i keq ka qenë shkak i rrëzimit, pasi avioni ishte ngritur në fluturim gjatë një stuhie të fuqishme, përpara se të detyrohej të bënte një ulje emergjente.
Presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto shfrytëzoi po ashtu “Twitter”-in për të thënë se kishte udhëzuar agjencitë federale për të ndihmuar në këtë rast emergjent.
Aeroporti “Victoria” i Guadalupes u mbyll për pak kohë pas incidentit. Në një deklaratë për mediet, “Aeromexico” shprehu keqardhjen e thellë për aksidentin, ndërsa kompania braziliane e avionit, “Embraer” tha se ka dërguar një ekip në vendngjarje.
KOHA JONË SONDAZH











