“Balonat” disidente, pako me ndihma për Veriun pavarësisht tensioneve
Balonat që lëshonin disidentët politikë të Koresë Veriut nga kufiri i Jugut u bënë shkak këtë javë për tensionimin e raporteve deri në ndërhyrje ushtarake. Situata në kufirin mes dy fqinjëve është qetësuar ndërsa aktivistët në Korenë e Jugut zotohen ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rigjetur qetësinë pas tensioneve që kulmuan këtë javë me kërcënimet për veprime ushtarake dhe ndërprerjet për dialogun fqinjësor.
Një zyrë e ideuar në vitin 2018 si pjesë e akordit për paqe të arritur mes krerëve më të lartë të shtetit, u shpërthye këtë javë nga Pheniani në shenjë proteste kundër Seulit.
Tentativat e Jugut për pajtim duke dërguar diplomatët e vet në Veri u refuzuan nga pala koreanoveriore, ndërkohë që ministri koreanojugor i Unifikimit ofroi dorëheqjen.
Shkak për acarimin e marrëdhënieve gjatë muajit janë bërë traktet propagandistike kundër Pekinit dhe ndihmat humanitare që aktivistët në Jug fluturojnë prej kohësh nga kufiri drejt Veriut.
Të enjten, një nga grupet e disidentëve politikë të arratisur nga Koreja e Veriut sërish përgatitën balonat, duke mbushur me qindra enë plastike me oriz, medikamente dhe maska për fytyrën për patriotët e tyre të varfër e të izoluar.
Të dielën balonat pritet të lëshohen sërish në ujërat detarë afër kufirit ndërkorean.
“Këtë gjë e bëjmë dy herë në muaj prej 5 vitesh. Kjo është hera jonë e 108-të. Arsyeja është ndihmat humanitare për ata që ndajnë të njëjtat vlera me ne, dhe çfarëdo të thotë Koreja e Veriut, ne do vazhdojmë të ndihmojmë më të rënduarit, të moshuarit dhe viktimat.”
Pavarësisht paralajmërimit të autoriteteve vendëse se do ndiqen penalisht, aktivistët thonë se ata nuk përbëjnë rrezik për njerëzit në kufi dhe as po e dëmtojnë mjedisin, siç pretendohet.
“Nuk e di pse po kapen me ne papritur. Qeveria i ka ditur veprimtaritë tona të 5 viteve të fundit. Policia lokale, ajo detare dhe ushtarake kanë ardhur dhe e kanë parë se çfarë ka brenda pakove tona.”
Një ditë më parë, ushtria korenojugore i bërë thirrje homologëve në Veri se çdo tensionim i njëanshëm i situatës në gadishullin korean do marrë përgjigjen e merituar.
Koreja e Veriut mbetet thuajse plotësisht e izoluar ndërkombëtarisht për shkak të sanksioneve ekonomike që Uashingtoni aplikon ndaj vendit për arsyen e arsenalit bërthamor.
KOHA JONË SONDAZH

