BE 25 vite, Unioni përballet me probleme identiteti
Bashkimi Evropian feston sot ditën e lindjes, 25 vite pas mbledhjes së liderëve në qytetin holandez Maastricht për të rënë dakord mbi kriteret e marrëveshjes, e cila krijoi një Evropë të unifikuar politikisht.
Traktati shënoi kalimin e Evropës nga një bashkim ekonomik ose siç njihej Komuniteti Ekonomik Evropian, në një bashkim politik ose në Bashkimin Evropian siç është sot, duke futur edhe monedhën e përbashkët euro. Janis Emmanuilidis, analist politik në qendrën e politikave evropiane në Bruksel, tha se traktati i Mastrihtit ishte kulmi i kompromisit Evropian.
“Maastricht ishte një arritje e vërtetë. Krijoi atë që ne tani e quajmë ‘Bashkim Evropian, strukturat themelore institucionale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes, politikës së jashtme, bëri që të shënohet progres në lidhje me drejtësinë dhe punët e brendshme, por padyshim hap i madh ishte ai i krijimit të monedhës së përbashkët euro”.
Megjithatë monedha e përbashkët për të gjithë anëtarët përveç Danimarkës dhe Britanisë, vendosi edhe detyrime ekonomike për vendet anëtare ku kryesorja ishte ndryshimi i monedhave kombëtare me atë të përbashkët evropiane. Ndërkohë rregullat e buxhetit të BE-së rezultuan të vështira për disa vende veçanërisht pas krizës së eurozonës në vitin 2009, gjë e cila çoi në paketat e shpëtimit për disa prej tyre përfshirë Greqinë dhe Spanjën.
Emmanuilidis thotë se traktati nuk ka shkuar aq larg sa duhet në integrimin e politikës monetare.
“Ka një ndjenjë vetëkënaqësie, ekziston një ndjenjë se nuk ka rrezik të shpërthimit të monedhës, por a duhet ne të bëjmë reforma të caktuara? Unë mendoj se po, sepse bashkimi evropian duhet të jetë i përgatitur për stuhitë që do të vijnë”, theksoi ai.
Emmanouilidis thotë se pakënaqësia me traktatin nuk krahasohet me problemet me të cilat përballet Evropa sot, si dalja e Britanisë nga blloku, rritja e populizmit dhe fluksit i emigrantëve.
Në rrugët e Mastrihtit, banorët thonë se duhet punuar më shumë për një europë më të bashkuar.
“Duhet ti kushtohet më pak vëmendje burokracisë dhe më shumë gjerave të mira si për shembull paqja”,thotë Jannes, student holandez.
“Kemi nevojë për Evropën ende sot por ka përçarje të mëdha dhe kjo më shqetëson”, thotë Jan Paul banor i qytetit Maastricht.
Kur Udhëheqësit evropianë ranë dakord në vitin 1992 për marrëveshjen, blloku kishte vetëm 12 anëtarë. Që atëherë, BE-ja është rritur në 28 anëtarë, 19 prej të cilave përdorin euron, e cila lindi më 1 janar 1999.
KOHA JONË SONDAZH

