Biseda e çuditshme telefonike mes Donald Trump dhe Kryeministrit të Pakistanit
Zyra e shtypit të Kryeministrisë së Pakistanit publikoi sot një bisedë telefonike mes Kryeministrit pakistanez Nawaz Sharif dhe Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump.
Njoftimi zyrtar i lëshuar nga kabineti i qeverisë së Pakistanit është disi i pazakontë nga çfarë jemi mësuar të lexojmë.
Njoftimi zyrtar i Pakistanit:
“Kryeministri Muhammad Nawaz Sharif telefonoi Presidentin e zgjedhur të SHBA Donald Trump për ta uruar për fitoren e tij. Presidenti Trump tha Kryeministri Muhammad Nawaz Sharif ka një reputacion të mirë. Jeni një djalë i jashtëzakonshëm. Po bëni një punë të mahnitshme dhe që është e dukshme. Mezi po pres t’iu takoj nga afër. Ndërkohë që jam duke folur me ju Kryeministër, më duket sikur po flas me një person me të cilin kam njohje prej vitesh. Vendi juaj ofron mundësi të jashtëzakonshme.
Pakistanezët janë ndër njerëzit më inteligjentë. Jam i gatshëm të bëj çdo gjë që ju më kërkoni për t’i dhënë zgjidhje problemeve të pazgjidhura. Do të jetë një nder dhe unë do angazhohem personalisht. Më telefononi pa hezitim në çdo kohë, edhe para datës 20 janar kur nuk do të kem hyrë ende në zyrën time. I ftuar nga Kryeministri të vizitojë Pakistanin, z.Trump tha se do të pëlqente shumë që të shkonte në një vend fantastik me njerëz fantastik. Ju lutem, përcillini popullit të Pakistanit faktin që ata janë të mrekullueshëm dhe të gjithë pakistanezët që kam njohur në jetë janë njerëz të veçantë, tha z.Donald Trump”.
Nuk dihet sa e besueshme mund të jetë kjo deklaratë zyrtare e lëshuar nga zyra e Kryeministrit të Pakistanit, megjithatë ekipi i Presidentit Donald Trump nuk bërë ende asnjë koment.
Në vitin 2012, Donald Trump bëri akuza të forta ndaj Pakistanit ndërsa gjatë fushatës presidenciale miliarderi ka propozuar që të ketë kufizim të hyrjes së myslimanëve në SHBA. Pra, deklarata zyrtare e Pakistanit duket se bie ndesh me sjelljen dhe Presidentit Donald Trump. Ky njoftim i pazakontë po bën xhiron e botës.
KOHA JONË SONDAZH

