Brexit në Gjykatë

Gjykata e Lartë britanike ka nisur shqyrtimin e çështjes ligjore Brexit, për të përcaktuar nëse qeveria mund të nisë procesin për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian, pa marrë aprovimin e parlamentit.

Protestues nga të dyja kampet u mblodhën para Sheshit të Parlamentit, ndërkohë që çështja gjyqësore është parashikuar të zgjasë katër ditë.

Qeveria ka këmbëngulur se zotëron fuqinë dhe autoritetin për të nisur procesin e daljes në bazë të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, rrugën formale që një vend anëtar duhet të ndjekë për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministrja Theresa May kërkon që neni 50 të aktivizohet në fund të marsit, por Gjykata e Lartë vendosi se ajo më parë duhet të marrë mbështetjen e parlamentit, për këtë klauzolë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Qeveria e May apeloi kundër vendimit dhe gjyqtarët pritet që të marrin një vendim final në ditët në vijim.

Nëse ata zgjedhin t’i përmbahen vendimit aktual, kjo do të thotë se zonja May do të duhet të përfshijë parlamentin në planet e saj të Brexit.

Mbështetës të saj i tremben mundësisë se politikanët mund ta përdorin këtë proces për të vonuar ose edhe sabotuar daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, edhe pse shumica votoi pro largimit në referendumin e 23 qershorit. Sipas analistëve, ajo çfarë do të vendoset në gjykim, nuk është në fakt çështja Brexit, por demokracia dhe autoriteti i qeverisë.

Në seancën e parë, gjyqtarët nuk mbajtën rrobat e tyre tradicionale, edhe pse kjo është hera e parë në histori që të gjithë ata ulen sëbashku për të vendosur mbi një çështje.

Ky është një tregues i rëndësisë kushtetuese dhe ligjore të Brexit. Atmosfera e zymtë në sallën e gjyqit ishte në kontrast të thellë me demonstratat e zhurmshme jashtë ndërtesës historike në afërsi të Dhomave të Parlamentit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?