Çfarë mund dhe nuk mund të bëjë presidenti Trump?
Donald Trump ka fituar zgjedhjet më të pazakonta në historinë e SHBA-ës. Republikani u shpall fitues pasi mori më shumë se 270 votat e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor kundër 228 të rivales së tij të Partisë Demokratike, Hillary Clinton.
Kur do të fillojë të ushtrojë detyrat e tij?
Teknikisht presidenti amerikan zgjidhet nga 538 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor (delegatët) që përfaqësojnë të gjitha shtetet dhe kongresi i të cilëve mbahet në dhjetor.
Edhe pse kandidati republikan ka fituar më shumë se 270 votat elektorale e nevojshme, delegatët mund të ndryshojnë votën e tyre kundër vullnetit të shumicës së votuesve të shteteve të tyre.
Megjithatë, gjatë gjithë historisë ka pasur shumë pak prej këtyre rasteve, kështu që fitorja e miliarderit është pothuajse e garantuar, por jo e zyrtarizuar.
Presidenti i zgjedhur nuk do të marrë detyrën menjëherë pas mbledhjes së anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, por ceremonia e marrjes së detyrës do të mbahet në janar të vitit 2017.
Deri në atë moment, presidenti aktual, Barack Obama, do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e tij si kreu i shtetit.
A ka rrugë të lirë për të bërë ç’të dojë?
Jo. Parimi më i rëndësishëm i Kushtetutës së SHBA quhet mekanizmi i kontrollit dhe balancimit, i cili nuk lejon përqendrimin e pushtetit në duart e një organizmi të vetëm.
Si në politikën e jashtme dhe atë kombëtare, Trump do të jetë i detyruar të marrë parasysh mendimin e Kongresit dhe se asnjë ligj nuk mund të miratohet pa miratimin e parlamentarëve.
Aktualisht përfaqësuesit e Partisë Republikane kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit. Megjithatë, shumë prej tyre konsiderojnë se Trump është kandidat shumë radikal dhe nuk e kanë mbështetur gjatë garës presidenciale.
Mund të përdorë armët bërthamore?
Gjatë fushatës zgjedhore shumë e kanë akuzuar Trumpin se është shumë impulsiv për të marrë përsipër “valixhen bërthamore”.
Megjithatë, presidenti vetëm autorizon lëshimin e raketave bërthamore, që në të vërtetë kryen nga dy zyrtarë ushtarakë nga një dhomë sekrete.
Edhe pse vendimi duhet të merret në pak minuta, në proces janë të përfshirë shumë njerëz, të gjithë me fuqinë për të anuluar lëshimin. Presidenti amerikan nuk mund ta kryejë i vetëm.
Do ta ndajë me të vërtetë shoqërinë amerikane?
Qytetarët e disa shteteve kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër fitores së Donald Trump.
Në qendër të qytetit të Santa Barbara (Kaliforni) disa dhjetëra persona mbajtën një marshim me moton “Not my president” (Nuk është presidenti im). Ka pasur edhe marshime kundër Trump në qytetet e Nju Jorkut, Portland (Oregon), Seattle (Uashington) dhe pranë Shtëpisë së Bardhë.
Edhe pse shoqëria amerikane është shumë e polarizuar, ka pak gjasa që këto marshime të bëhen protesta masive.
Qytetarët amerikanë mund të zgjedhin një tjetër alternativë: Pasi u njoftua se republikani po fitonte në disa territore të rëndësishme të vendit, në internet u rritën kërkimet e fjalëve dhe frazave si ” emigrim”, “si të emigrosh në Kanada” dhe “fundi i botës”.
Dita
KOHA JONË SONDAZH

