Djali i El Chapos ra në pranga e policisë, një luftë civile u shmang në Meksikë
Pas lajmeve se djali i mbretit famëkeq meksikan të drogës “El Chapo” është arrestuar, dhuna ka shpërthyer sërish në veri-perëndim të Meksikës. Mediat lokale pretendojnë se arrestimi i Ovidio Guzmán-López ndodhi në qytetin Culiacán në shtetin Sinaloa.
Dhe gati sa nuk nisi një luftë civile. 3 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë në përleshjet e armatosura në Sinaloa.Banda të armatosura dhe të zemëruara për arrestimin, vendosën bllokada në rrugë, dogjën automjete dhe sulmuan një aeroport lokal në tentativë për të penguar transferimin e djalit të El Chapo-s. Dy avionë u goditën nga të shtënat, njëri prej të cilëve në momentin kur po nisej për fluturim.
Nga episodet e dhunës, më shumë se 100 fluturime u anuluan në 3 aeroportet e Sinaloas. Shkollat, disa dyqane dhe institucione lokale janë mbajtur të mbyllura për shkak të situatës. Guvernatori i këtij shteti meksikan konfirmoi se 18 persona janë pranuar në spital me dëmtime nga përplasjet e armatosura.
Ovidio Guzman-Lopez, që mban nofkën “Miu”, akuzohet për trafik droge, deri në 2,2 tonë metamfetaminë në muaj nga 11 laboratorët e tij të paligjshëm, vrasjen e informatorëve të policisë, rivalëve në trafikun e drogës dhe të një këngëtari të njohur meksikan që refuzoi të këndonte në dasmën e tij.
KOHA JONË SONDAZH

