E përdhunojnë, studentja vret veten
Një studente 23-vjeçare ka vrarë veten dy muaj, pasi pretendoi se ishte përdhunuar. Kjo ka nxitur zemërimin mbi dhunën seksuale ndaj grave në Afrikën e Jugut. Khensani Maseko, një studente në Universitetin e Rhodes në Grahamstown, tha se ishte përdhunuar nga një student tjetër në maj, sipas një deklarate nga universiteti.
Më 3 gusht, ditën kur vrau veten, Maseko postoi një mesazh në mediat sociale. “Askush nuk meriton të përdhunohet”, shkruante ajo. Llogaria e saj në Instagram është fshirë. Universiteti i Rhodes konfirmoi vdekjen e saj dhe tha se autoritetet mbajtën një takim me prindërit e Maseko kur ajo raportoi në korrik se ishte përdhunuar.
Universiteti tha se ishte dakord që studentja të shkonte në shtëpi në pritje të një hetimi mbi pretendimet e saj. Por 23-vjeçarja vdiq pak ditë para datës së planifikuar për t’u kthyer në universitet, ku do të takohej me personat që hetonin rastin në institucion.
Studenti i akuzuar për përdhunim është pezulluar, por sipas deklaratës vdekja tragjike e Khensanit nuk do t’i japë fundit hetimit për të zbuluar rrethanat e kësaj ngjarje. Flamuri i Universitetit do të qëndrojë në gjysmë shtize për të nderuar Maseko. Ajo u varros në Johanesburg.
Statistikat tregojnë se dhuna seksuale ndaj grave është një problem serioz në Afrikën e Jugut. Sipas vlerësimeve të lëshuara në qershor nga shërbimi statistikor kombëtar i Afrikës së Jugut, 138 nga 100.000 gra në vend u përdhunuan në vitin 2016 dhe 2017. Kjo shifër është ndër më të lartat në botë. Për këtë arsye, disa e kanë etiketuar Afrikën e Jugut “kryeqytetin përdhunimit në botë”. Për krahasim, shifrat e vitit 2015 për numrin e përdhunimeve në Zvicër ishin 6.4 raste për 100,000 gra.
Gjithashtu, shkalla e femicidit në vend, vrasja e një gruaje ose e një vajze për shkak se është femër, është pesë herë më shumë se norma globale. Vdekja e Maseko ka ndezur zemërimin publik në Afrikën e Jugut, ku gratë shpesh përdorin mediat sociale për të ndarë imazhet e grave që janë vrarë nga partnerët e tyre. Mijëra gra marshuan javën e kaluar anembanë vendit për të protestuar ndaj dhunës me bazë gjinore në vend. Protesta TotalShutDown u mbajt për të bashkuar gratë e Afrikës së Jugut kundër “luftës në trupat e tyre”, tha Loyiso Saliso, një zëdhënëse e lëvizjes.
KOHA JONË SONDAZH

