Gjykata në Irak dënon me vdekje belgun që luftoi me ISIS
Në Irak, një burrë nga Belgjika, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë në ushtrinë e ISIS u dënua me vdekje dhe u var në shesh publik. Ai është një nga burrat e shumtë që u bashkuan me ISIS dhe që gjykata irakiane i ka gjetur fajtor për bashkim me një organizatë terroriste.
Bilal al-Marchohi, 23 vjeç iu dha dënimi me vdekje për shkak të bashkimit me një grupim terrorist si IS dhe për shkak të krimeve që ai ka kryer, ndërkohë që militonte me këtë grupim terrori. Gjyqtari kryesor i çështjes ka treguar në gjyq një fotografi të Al-Marchocit, ku dëshmohet se ai ishte pjesë e ISIS-it. Imazhet tregojnë se belgu mbante në duar një armë dhe bënte thirrje për “luftë e gjak të vazhdueshëm”, shkruan Reuters.

Madje, disa imazhe tregojnë se ai kishte ikur në Irak bashkë me djalin e tij të mitur. Al-Marchohi ka mohuar të gjitha akuzat që gjykata ngriti kundër tij në gjyqin e mbajtur të hapur për publikun. Ai tha se është një qytetar belg dhe se vetëm gjykatat në Belgjikë mund ta dënojnë e jo ata në Irak. Belgu foli në anglisht gjatë gjithë kohës që gjykohej. Një avokat iu caktua atij, por se mediat që ndoqën rastin nga afër thanë se ai nuk mbajti thuajse asnjë kontakt me mbrojtësin ligjor.
Ministria e Jashtme e Belgjikës tha se “nuk ka një koment momental për rastin”. Marchohi është i dyti belg që dënohet me vdekje nga një gkykatë në Irak. I pari ishte Tarek Jadaoun, 30 vjeç, njohur me emrin Abu Hamza al-Beljiki. Ky i fundit u dënua me vdekje në muajin maj të vitit 2018. Nga gjykatat janë dhënë dëshmi me video, ku shfaqen këta persona, të akuzuar tashmë sesi bënin thirrje që ISIS të përparonte në Europë. Iraku po dënon me forcë personat që iu bashkuan ISIS-it, gjatë kohës që militantët islamikë kishin fuqi dhe morën nën zotërim territore të tëra edhe në këtë shtet. Mbrojtës të të drejtave të njeriut kanë thënë se ka raste kur dënimet janë më tepër të rënda nga se duhet.
KOHA JONË SONDAZH

