Ish-këshilltari i Trump del para gjykatës, rrezikon 30 vjet burg nëse shpallet fajtor
Paul Manafort, ish-kryetari i fushatës së Presidentit Donald Trump, doli sot në gjyq në Aleksandria të Virxhinias, në një nga dy çështjet penale që u paraqitën kundër tij nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller.
Ai bëhet i pari mes ish-këshilltarëve të Presidentit Trump që del në gjyq, nën akuzat për mashtrime bankare dhe me taksat nga hetuesit federalë që po shqyrtojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Paul Manafort përballet me 18 akuza kriminale, duke përfshirë mashtrimin bankar, dhe mund të përballet me 30 vjet burgim nëse shpallet fajtor.
Në nisje të procesit gjyqësor, prokurorët thanë se Z. Manafort e vendosi veten “mbi ligjin” dhe kishte “gënjyer”.
Ish-konsulenti politik, i cili drejtoi fushatën Trump për tre muaj, është deklaruar jo fajtor.
Prokurorët pritet të argumentojnë se jeta e tij e luksit nuk përputhet me atë që ai kishte deklaruar në deklaratat e tij tatimore.
Asnjë nga akuzat që z. Manafort u përball në gjyqin e të martës nuk kanë të bëjnë me hetimin e marrëveshjes së mundshme të vitit 2016 midis Rusisë dhe fushatës së Trump.
Akuzat vijnë nga lobizmi dhe aktiviteti i tij si konsulent politik për ish-Presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych.
Duke qenë se presidenti Trump e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm, Mueller “një gjueti shtrigash”, vendimi që do të merret në rastin e zotit Manafort, mund të përcaktojë besueshmërinë e hetimit.
KOHA JONË SONDAZH

