Kina mohon pretendimet për mbështetje ushtarake ndaj Iranit
Kina ka hedhur poshtë pretendimet e mediave ndërkombëtare se po i ofron mbështetje ushtarake Iranit, duke i cilësuar ato si “të fabrikuara”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian, deklaroi në një postim publik se raportimet për ndihmë ushtarake janë të pavërteta dhe nuk kanë bazë.
Ai shtoi gjithashtu se nëse Shtetet e Bashkuara vendosin rritje të tarifave ndaj Kinës mbi bazën e këtyre akuzave, Pekini do të reagojë me “kundërmasa”.
Deklaratat vijnë në një kohë kur disa media ndërkombëtare, përfshirë CNN, duke cituar burime të inteligjencës amerikane, kanë raportuar se Kina mund të jetë duke përgatitur dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për Iranin në javët e ardhshme.
Ndërkohë, New York Times ka raportuar se agjencitë e inteligjencës në SHBA po vlerësojnë gjithashtu mundësinë e dërgimit të raketave me qitje supi nga Kina drejt Iranit.
Në këtë kontekst, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA mund të vendosë një tarifë shtesë prej 50% për mallrat kineze, nëse këto vlerësime rezultojnë të sakta.
Nga ana tjetër, Pekini vazhdon të mohojë çdo përfshirje ushtarake në mbështetje të Iranit, duke paralajmëruar për përshkallëzim të tensioneve tregtare në rast masash ndëshkuese.
KOHA JONË SONDAZH

