Krahas ksenofobisë, Evropa ende synim i refugjatëve
Sipas të dhënave të përpiluara nga gazetari i AA-së, edhe përkundër ksenofobisë në rritje në Evropë refugjatët posaçërisht nga Siria dhe Iraku gjejnë më së shumti mundësi në Evropë sesa në shtetet e tyre.
Edhe përkundër ksenofobisë në rritje dhe kufizimeve të sjella, Evropa ende vazhdon të jetë synim për refugjatët për shkak të mundësive që ajo ofron. Veçanërisht refugjatët që vijnë nga Siria dhe Iraku kur arrijnë në shtetet e Evropës mund të përfitojnë mundësi si pagë mujore, arsim pa pagesë për fëmijët dhe strehim pa pagesë. Madje, pas një qëndrimi të gjatë, refugjatët mund të fitojnë edhe shtetësi.
Sipas të dhënave të përpiluara nga gazetari i AA-së, edhe përkundër ksenofobisë në rritje në Evropë, racizmit, lëvizjeve politike populiste ekstreme dhe pengesave me tela që pengojnë kalimin e refugjatëve nëpër kufij, refugjatët posaçërisht nga Siria dhe Iraku gjejnë më së shumti mundësi në Evropë sesa në shtetet e tyre.
Me arritjen në Evropë, këtyre refugjatëve u plotësohet nevoja për strehim. Po ashtu, atyre u bëhen të mundura edhe nevojat themelore, siç janë ushqimi, pija, pastërtia, veshmbathja dhe shëndetësia.
Refugjatët po ashtu pranojnë edhe ndihma financiare, ndërsa fëmijëve të tyre u njihet mundësia për arsim pa pagesë.
Shumë refugjatë në shtetet e Evropës fitojnë të drejtën për ndihma serioze financiare, bazuar në atë se a janë të martuar apo a kanë fëmijë. Atyre që u pranohen kërkesat për azil po ashtu mund të fillojnë të punojnë dhe t’i marrin pranë vetes gratë dhe fëmijët e tyre. Refugjatëve të cilët kanë vazhduar të qëndrojnë më shumë se koha e caktuar në këto shtete madje u ofrohet mundësia për ta fituar shtetësinë.
Zvicra
Për shembull, në Zvicër, pasi që refugjatët të aplikojnë për azil, ata mund të qëndrojnë në periudhë prej 90 ditësh në qendrat për aplikim dhe transferim nëpër vend. Pas kalimit të 90 ditëve, Sekretariati Zviceran për Migrantë (SEM) e drejton çdo refugjat në kantone të ndryshme, me çka përgjegjësia për strehimin e tyre u kalon kantoneve. Refugjati mund ta sjellë familjen e tij pas t’i pranohet kërkesa.
Nevojat themelore të refugjatëve plotësohen nga kantonet ku kanë aplikuar. Pas vendosjes në shtëpi dhe qendra strehimore, ata marrin ndihma financiare për pagesën e qirasë dhe përmbushjen e nevojave themelore.
Nëse refugjatët vendosen në shtëpi të familjeve zvicerane, pagesa deri te familjet zvicerane për qiranë dhe shpenzimet e tjera mundësohet nga kantoni. Refugjatët të cilëve u pranohet kërkesa për azil, fitojnë të drejtën e punës. Madje, në Zvicër ka stimulim që para të huajve të punësohen refugjatët. Edhe krahas kësaj, në Zvicër punojnë vetëm 20 për qind e refugjatëve.
Britania
Refugjatët në Britani pikësëpari strehohen nëpër konvikte akomodimi. Nëse nuk posedojnë asnjë burim financiar për ta siguruar jetesën, këta persona mund të aplikojnë për “mbështetje për refugjatë”. Nëse aplikimet e tyre pranohen, ata mund të marrin ndihmë në vlerë prej 5,5 sterlinash në ditë.
Nëse kërkesat e refugjatëve për azil pranohen, atyre u jepet afat prej 28 ditësh për të gjetur vend për strehim. Brenda afatit të njëjtë kohor, ata gjithashtu duhet t’i plotësojnë aplikimet e tyre për të përfituar nga ndihmat sociale. Që nga viti 2005, Britania refugjatëve ua njeh të drejtën të qëndrojnë deri në pesë vite. Britania, e cila ka refuzuar vetëm 38 për qind të aplikimeve të bëra vitin e kaluar, hyn në mesin e vendeve të para ku refugjatët aplikojnë më së shumti.
Britania po ashtu zbaton një program të veçantë për refugjatët sirianë. Në kuadër të programit “Rivendosja e Personave të Pambrojtur (VPR)” të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), vendi u jep përparësi veçanërisht të prekurve nga dhuna dhe tortura si dhe grave me nevoja mjekësore dhe jetimëve, si dhe të personave të moshuar nga Siria.
Përmes programit VPR, refugjatët e pranuar në vend vendosen në shtëpi të siguruara nga bashkitë. Krahas kësaj, ata mund të përfitojnë nga sistemi i shëndetësisë dhe arsimit, si dhe mund të kërkojnë punë. Në periudhë prej pesë vitesh që nga hyrja e tyre në vend, refugjatët përfshihen në programin e mbrojtjes së njerëzve, ndërsa pas pesë viteve atyre u jepet mundësia e aplikimit për qëndrim në Britani.
Franca
Në Francë, refugjatëve gjatë periudhës së aplikimit të tyre për azil u njihet e drejta për qëndrim në qendrat e kujdesit që janë hapur enkas për ta. Atyre gjithashtu u ofrohet ndihmë mujore në vlerë prej 120 eurosh për t’i plotësuar nevojat e tyre për vazhdimin e jetës ditore. Në shumicën e qendrave nuk ka shërbime të rregullta ushqimore, kurse në disa zona refugjatëve u ofrohet ndihmë nga jashtë në veshmbathje.
Refugjatët e vendosur në qendrat e kujdesit, kanë të drejtën e lejeqëndrimit të përkohshëm prej një muaji nëse aplikojnë për azil. Pas regjistrimit të aplikimeve të tyre nga Byroja Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve, refugjatëve sërish u njihet e drejta për qëndrim të përkohshëm në afat prej gjashtë muajve.
Refugjatëve që qëndrojnë në qendrat e kujdesit gjatë aplikimit u ofrohet ndihmë në interval prej 91 deri në 718 euro në muaj, varësisht nga gjendja e tyre familjare. Ndërkaq, refugjatëve që nuk qëndrojnë në qendrat e strehimit, në periudhën e vlerësimit të aplikimeve të tyre u jepet ndihmë prej 340,5 euro në muaj.
Më pastaj, refugjatët të cilët fitojnë statusin refugjat pas aplikimit, duhet t’i braktisin qendrat e kujdesit. Me pranimin e kërkesave të tyre për azil, refugjatëve u njihet e drejta për të marrë “Të ardhura Aktive Solidarizuese (RSA)”, nga të cilat në Francë përfitojnë edhe personat me të ardhura të ulëta. Pasi ta kenë fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm, ata mund të përfitojnë nga ndihmat e strehimit, nga të cilat po ashtu përfitojnë personat me të ardhura të ulëta në Francë.
Suedia
Me politikat e buta kundrejt refugjatëve, Suedia shfaqet si vendi që ofron më së shumti mundësi për refugjatët në mesin e shteteve të BE-së. Me popullsinë prej 9 milionë e 700 mijë banorëve, ajo radhitet ndër vendet e para sipas numrit të refugjatëve në vend. Suedia është vendi i dytë pas Gjermanisë me më së shumti aplikime nga refugjatët. Në vitin 2015, në Suedi kanë arritur 163 mijë refugjatë.
Suedia refugjatëve u njeh të drejtë qëndrimi të përkohshëm prej tri viteve. Pas përfundimit të kësaj periudhe , gjendja e refugjatëve shqyrtohet sërish. Krahas kësaj, ata mund t’i sjellin në Suedi bashkëshortet e tyre mbi moshën 21-vjeçare.
Pas fillimit të procedurave të refugjatëve të cilët aplikojnë për azil në Suedi, fillimisht zgjidhet çështja e strehimit të tyre, ndërsa po ashtu u lidhet pagë në vlerë prej 250 eurosh.
Ndërkaq, refugjatët të cilët nuk kanë ku të qëndrojnë, vendosen nëpër kampe. Procedura e azilit zgjat mesatarisht një vit. Gjatë kësaj periudhe, refugjatëve u jepet e drejta për punë.
Gjermania
Gjatë hyrjes së parë në Gjermani, refugjatët i nënshtrohen kontrollit shëndetësor dhe hulumtimit mbi identitetin e tyre, përfshirë edhe shenjat e gishtërinjve. Më pas, atyre u mundësohet qëndrim në vende të përkohshme të që ua cakton shteti. Këtu, shteti ua mundëson nevojat e akomodimit, veshmbathjes, ngrënies dhe pijes, si dhe produkteve higjienike.
Krahas kësaj, të moshuarve u ofrohet pagesë mujore prej 143 eurosh dhe 90 euro në muaj për çdo fëmijë. Pas të gjitha procedurave, refugjati mund të transferohet në një vend të cilin e gjen vetë. Në këtë gjendje, atyre u ndërpritet ndihma me ushqime-pije, megjithatë, shteti u vazhdon t’u paguajë të moshuarve 392 euro në muaj. Ndërkaq, në varësi të moshës, pagesa për fëmijët bëhet deri në 286 euro.
Austria
Refugjatët në Austri vendosen në strehimore kolektive në periudhë prej tri javë deri në tre muaj. Më pas, në kuadër të mundësive, refugjatët mund të kalojnë në shtëpi apo konvikte të mundshme.
Personat që fitojnë statusin e refugjatit, brenda katër javëve gjejnë vend të ri për akomodim. Refugjatëve të vendosur në kampe refugjatësh, shteti u mundëson sigurim dhe kështu ata mund të përfitojnë nga të gjitha shërbimet shëndetësore.
Për çdo individ që jeton në kampus ofrohen 200 euro për ushqim dhe pastërti për një muaj, dhe 40 euro si para xhepi. Përveç kësaj, ofrohen 90 euro për çdo fëmijë dhe 150 euro në vit për veshmbathje. Refugjatët dërgohen në kurse për ta mësuar gjuhën gjermane, ndërsa fëmijëve nën moshën 18-vjeçare po ashtu u ofrohet mundësia për arsim.
Njohja e një personi si refugjat në Austri mund të zgjasë deri në nëntë muaj. Megjithatë, procesi lehtësohet nëse personat janë të ardhur nga Siria apo Iraku.
Gjendja e Evropës
Nëse merren parasysh ndryshimet demografike, gjendja ekonomike dhe mundësitë dhe kapaciteti i punësimit në Evropë, shihet se shtetet e kontinentit mund të ofrojnë mundësi të mira jetese për refugjatët që kanë ikur nga rajonet e përfshirë nga luftrat
Veçanërisht mundësitë në Evropën Perëndimore, Qendrore dhe Veriore, mund të ofrojnë që refugjatët të jetojnë në mënyrë të sigurtë.
Popullsia e Evropës në plakje
Sipas supozimeve demografike të Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat), parashihet që mosha mesatare në BE, që është 42 vjet, të shtohet për katër vite deri në vitin 2080. Po ashtu parashihet që numri i popullsisë punuese në shtetet e BE-së të pësojë ndryshim proporcional dhe numerik të ngjashëm me këtë gjendje.
Aktualisht, numri prej 333 milionë personave të përshtatshëm për punë, pritet të zvogëlohet në 292,3 milionë deri në vitin 2080. Ndërkaq, pritet që popullsia e BE-së të rritet vetëm për 2,6 për qind deri në vitin 2080 dhe të jetë 520 milionë, e moshuar dhe me numër të zvogëluar të personave punues.
Në disa shtete të BE-së madje pritet rënie më e madhe demografike nga gjendja aktuale. Sipas këtyre të dhënave, del në pah se numri i popullsisë deri në vitin 2080 do të jetë nën numrin aktual në shtetet si Gjermania, Holanda, Sllovenia, Hungaria, Rumania, Kroacia, Estonia, Polonia, Sllovakia, Greqia, Portugalia, Bullgaria, Letonia dhe Lituania. Faktorët si plakja e popullsisë, zvogëlimi i popullsisë së aftë për punë dhe rënia në popullsisë së përgjithshme, tregojnë se refugjatët mund ta ofrojnë fuqinë e duhur punëtore që Evropa ta vazhdojë konkurrencën e saj ekonomike.
Shtetet evropiane me papunësi të ulët
Refugjatët të cilët drejtohen kah shtetet e tjera për shkak të pasigurisë jetësore në vendet e tyre, në një pikë të caktuar dëshirojnë të gjejnë punë dhe të integrohen në karrierën e punës në këto shtete. Kur merren parasysh të dhënat, del në pah se gjetja e punës është më e lehtë në shtetet evropiane ku shkalla e papunësisë është më e ulët.
Shkalla e papunësisë në ekonomitë kryesuese të Evropës është 4,6 për qind në Gjermani, 5,3 në Britani, 6,9 në Holandë, 6,2 në Danimarkë, 6,7 në Luksemburg, 5,7 në Austri, 7,4 në Suedi dhe 8,5 në Belgjike. Në shifra të përgjithshme, shkalla mesatare e papunësisë në BE është 9,4 për qind.
Në bazë të këtyre të dhënave, me përjashtim të Greqisë dhe Spanjës që po luftojnë me krizën ekonomike, parashihet që të gjitha shtetet e Evropës mund t’u ofrojnë mundësi punësimi refugjatëve, në mënyrë që ta sigurojnë vazhdimësinë e strukturave konkurruese ekonomike dhe t’i mbajnë të ekuilibruara tregjet e fuqisë punëtore.
Shtetet e zhvilluara
Disa shtete në Evropë shquhen për ofrimin e mundësive për jetesë për refugjatët. Duke u bazuar në të dhënat, është e qartë se disa shtete të zhvilluara të Evropës mund të ofrojnë më shumë mundësi për refugjatët sesa shtetet më pak të zhvilluara të Evropës lindore apo shtetet e Ballkanit
Refugjatët përfitojnë nga më shumë mundësi kur zgjedhin shtetet e pasura si Gjermania, Franca, Britania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Austria, Italia, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia.
Shtetet me mirëqenie
Nëse merren parasysh të ardhurat kombëtare, vendin e parë në Evropë e zë Gjermania. Të ardhurat kombëtare vjetore në këtë shtet kalojnë mbi tre trilionë euro. Më së afërmi, Gjermaninë e ndjekin Britania me 2,5 trilion të ardhura dhe Franca me 2,1 trilionë.
Në këto shtete nivele të larta kanë edhe të ardhurat kombëtare për kokë banori. Krahas këtyre shteteve, në nivele të ngjashme të mirëqenies janë edhe shtetet si Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra, Irlanda, Danimarka, Holanda, Austria, Belgjika, Franca, Suedia dhe Finlanda.
Mundësitë e shëndetësisë dhe arsimit
Një tjetër përparësi që ofrojnë shtetet evropiane është shëndetësia dhe arsimi. Dominimi i sistemit të shtetit social në përgjithësi në Evropë, mundëson që refugjatët të kenë më shumë komoditet.
Shtetësi të BE-së për 5 vite
Nëse shikohen periudhat për marrjen e shtetësisë, në Evropë, Zvicra jep shtetësinë pas periudhës më të gjatë, konkretisht pas 12 viteve. Pas marrjes së lejeqëndrimit, mundësi për marrjen e shtetësisë së BE-së ofrojnë Austria, Republika Çeke, Greqia, Italia, Lituania, Luksemburgu, Sllovenia dhe Spanja pas dhjetë viteve, Danimarka dhe Irlanda pas nëntë viteve, Gjermania, Kroacia, Hungaria dhe Sllovakia pas tetë viteve, Norvegjia pas shtatë viteve, Portugalia dhe Britania pas gjashtë viteve, Suedia, Belgjika, Polonia, Holanda, Letonia, Franca, Administrata e Qipros Jugore Greke dhe Bullgaria pas pesë viteve.
Kur merren parasysh këto mundësi, refugjatët përfitojnë nga mundësitë si akomodimi dhe ushqimi duke aplikuar për azil në vendet e synuara. Nëse refugjatët dëshmojnë se kanë ardhur nga zona të përfshira nga luftrat, kthimi i tyre mbrapa është tepër vështirë të ndodhë. Shumë refugjatë arrijnë deri në vendet e synuara dhe aty bëjnë aplikim zyrtar.
KOHA JONË SONDAZH

