Kryeministri britanik: Mos bëni gabim të vini ilegalisht në Angli, nuk do të qëndroni
Kushdo që hyn ilegalisht në Britaninë e Madhe nuk do të lejohet të qëndrojë, tha kryeministri Rishi Sunak në një intervistë të botuar sot, ndërsa javën e ardhshme qeveria britanike pritet të bëjë publik projektligjin që synon të frenojë emigracionin e paligjshëm.
I gjendur nën trysninë e ligjvënësve të partisë së tij për të gjetur një zgjidhje për fluksin e emigrantëve që mbërrijnë në Britani përmes kanalit të La Manshit nga Evropa, zoti Sunak e ka përcaktuar ndalimin e varkave të vogla si një nga pesë përparësitë e tij. “Mos bëni gabim; nëse vini këtu ilegalisht, nuk do të mund të qëndroni”, tha kryeministri Sunak për gazetën britanike “Mail on Sunday”.
Sipas kryeministrit Rishi Sunak, i cituar nga shtypi britanik në 13 dhjetor të vitit të kaluar, përgjatë vitit 2022 në Britaninë e Madhe kishin mbërritur 13 mijë shqiptarë, sa 1/3 e emigrantëve që kishin hyrë në Britani përmes kanalit të La Manshit.
Projektligji i ri i qeverisë britanike që synon të frenojë emigracionin e paligjshëm, pritet të bëhet publik të martën, njoftoi gazeta “Mail on Sunday”, ndërsa vitin e kaluar, 45,000 persona raportohet se kanë kaluar me varka drejt Britanisë së Madhe.
I pyetur në televizionin britanik Sky News nëse atyre që mbërrijnë ilegalisht në Britani do t’u ndalohet të kërkojnë azil, ministri Chris Heaton-Harris tha: “Besoj se po”. “Nëse njerëzit vijnë në këtë vend ilegalisht, atëherë ata do të kthehen ose do të dërgohen diku si p.sh. në Ruanda”, theksoi ai.
I pyetur se si azilkërkuesit e vërtetë do të mund të kërkonin strehim, ministry Heaton-Harris tha se ishte i sigurt se do të ketë rrugë më të sigurta dhe të ligjshme./Voa
KOHA JONË SONDAZH

