”Lufta” mes dy burrave më të pasur në botë, pse po zihen?
Space X dhe Amazon, kompanitë e drejtuara nga dy burrat më të pasur në botë (Elon Musk dhe Jeff Bezos), po bëjnë përpjekje për bizneset e tyre konkurruese me bazë satelitore. SpaceX akuzon Amazon për “mbytje të konkurrencës” dhe Amazon akuzon SpaceX me pretendimin se “ajo po kërkon një konkurrencë shumë të lehtë”.
Konflikti konsiston në një përpjekje nga SpaceX për të modifikuar licencën e saj për Starlink, pajisjeve masive satelitore me synim zbatimin e një sistemi të ri komunikimi me internet në hapësirë, nga të cilat SpaceX ka lëshuar mbi 900. Kompania ka leje nga qeveria federale e SHBA-së për të nisur mijëra satelitë të tillë dhe në një komunikim të fundit, SpaceX tha se dëshiron të vendosë disa prej satelitëve në një lartësi më të ulët sesa ishte planifikuar apo autorizuar më parë.
Ky ndryshim i propozuar mund t’i vendosë satelitët e Musk, pra të Starlink në një “rrugë”, të quajtur “Project Kuiper”, që është propozuar nga Amazon. Kompania nuk ka lëshuar ende ndonjë satelit, por ajo ka siguruar një licensë për projektin. Planet aktuale të Amazon përfshijnë vendosjen e disa prej satelitëve të saj në orbitë, afërsisht 590 km mbi sipërfaqen e Tokës. Kompania argumentoi në kundërshtimin e saj se satelitët Starlink në atë lartësi mund të shkaktonin më shumë ndërhyrje të sinjalit me satelitët e Project Kuiper dhe rrjetet e tjera satelitore aty pranë.
Drejtori i politikës satelitore të SpaceX, David Goldman, tha se konkurrenti i tij arriti në ato konkluzione vetëm duke “mbledhur të dhëna nga asgjëja” dhe “duke injoruar shumicën e modifikimit” që SpaceX ka propozuar. Elon Musk, lidhur me këtë, u shpreh në Twitter ”Nuk i shërben njerëzve që Starlink të goditet sot për një sistem satelitor të Amazon, i cili në rastin më të mirë është disa vite larg funksionimit”.
Amazon i ktheu përgjigje këtij postimi. ”Faktet janë të thjeshta. Ne krijuam sistemin Kuiper për të shmangur ndërhyrjet në Starlink, dhe tani SpaceX dëshiron të ndryshojë modelin e sistemit të saj. Këto ndryshime jo vetëm që krijojnë një mjedis më të rrezikshëm për përplasjet në hapësirë, por ato gjithashtu rrisin ndërhyrjet (interferencat) në radio për klientët. Pavarësisht nga ajo që SpaceX poston në Twitter, janë ndryshimet e propozuara të SpaceX që do të pengojnë konkurrencën midis sistemeve satelitore”.
KOHA JONË SONDAZH

