Meksika e gatshme për marrëveshje me Trump për NAFTA

Meksika është e gatshme të diskutojë Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë Amerikano-Veriore të njohur si NAFTA, me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.

Ministri i Ekonomisë, Ildefonso Guajardo tha se Meksika do të përpiqej t’i shpjegonte Trump, “rëndësinë strategjike” që kjo marrëveshje ka për rajonin, pas kritikave të ashpra të republikanit. Edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shprehur gatishmërinë e tij për bisedime me presidentin e ri. NAFTA erdhi në fuqi mes tre vendeve në vitin 1994 dhe gjatë fushatës së tij, Trump e ka konsideruar këtë marrëveshje tregtare si më të keqen që Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar.

Qëndrimi i tij i fortë proteksionist që në fillim të fushatës, e ndihmoi Trump të fitonte mbështetje në zonat që më parë shërbenin si qendra prodhimi. Republikani ka premtuar gjithashtu të sjellë sërish vende pune për të kompensuar humbjet në vend për shkak të globalizimit. Sakaq, Meksika dhe Kanadaja i tremben një lëvizjeje të tillë, për shkak se kjo mund të dëmtojë aksesin e tyre në tregun amerikan, nga i cili të dyja shtetet janë tepër të varura.

Swiss Digital Desktop Reklama

Monedha meksikane pësoi një rënie rekord pas fitores së Donald Trump dhe ra sërish edhe gjatë të enjtes, pas një rritjeje të lehtë. Ministri i ekonomisë, Guajardo, deklaroi se nuk bëhet fjalë për rinegocim të marrëveshjes, por për dialog rreth rëndësisë së saj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe ministrja e jashtme, Claudia Ruiz Massieu, përjashtoi mundësinë e rinegocimit, ndërkohë që shtoi se Meksika është e gatshme ta modernizojë marrëveshjen në bashkëpunim me qeverinë Trump dhe Kanadanë. Nuk ka ende një datë për zhvillimin e këtyre bisedimeve, por presidenti meksikan, Enrique Peña Nieto, tha se ai dhe Trump kanë rënë dakort të takohen, me shumë gjasa para ceremonisë inaguruese për presidentin e ri, që do të zhvillohet në janar.

/Ora News/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?