Prej dy javësh të bllokuar në minierën e arit, nxirren nga galeria 9 prej minatorëve
Ekipet e shpëtimit në Kinë kanë arritur të nxjerrin nëntë minatorë, të cilët mbetën të bllokuar 600 metra nën tokë për dy javë, raportojnë mediat shtetërore.
Ata u bllokuan aty që kur një shpërthim mbylli tunelin hyrës në minierën e arit Hushan në provincën Shandong më 10 janar.
Fillimisht u raportua për njëmbëdhjetë minatorë që i mbijetuan shembjes, por pak më vonë njëri prej tyre vdiq.
Ekipet e shpëtimit bënë të mundur vendosjen e një lidhje telefonike me ta, ndërsa ilaçet dhe ushqimi ua ulnin poshtë përmes një tuneli të gjatë dhe të ngushtë.
Shkaku i shpërthimit që bllokoi hyrjen e minierës ende nuk dihet.
Pamjet televizive treguan se minatori i parë doli në sipërfaqe, ndërsa punëtorët e urgjencës brohorisnin.
Atij iu lidhën sytë për tu mbrojtur nga drita dhe u dërgua menjëherë në spital për mjekim.
Minatori i nxjerrë në sipërfaqe ishte “jashtëzakonisht i dobët”, raportojnë mediat.
Rreth një orë pas shpëtimit të tij, tetë minatorë të tjerë u nxorën nga një seksion tjetër i minierës. CCTV tha se një nga minatorët midis këtij grupi u plagos.
Dy të tjerë besohet se janë ende gjallë brenda minierës, në pritje të shpëtimit.
Fati i një grupi të dytë prej 11 minatorësh të bllokuar nga shpërthimi është i paqartë – autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të komunikojnë me ta pavarësisht uljes së ushqimit dhe mesazheve në zona të tjera të minierës.
Minatori i parë që u nxor nga miniera ishte bllokuar në një pjesë të ndryshme të minierës së arit tek grupi kryesor prej 10 minatorësh që kanë marrë ushqim dhe ilaçe për ditë me radhë.
Përpjekjet e shpëtimit u përshpejtuan pasi gërmimet për hapjen e një tuneli për të arritur tek ata pritej të zgjaste me javë.
Grupi i zbuluar gjallë u tha shpëtimtarëve se kishin krijuar komunikim me një minator të vetmuar rreth 100 metra poshtë tyre, por që atëherë kishin humbur lidhjet me të.
KOHA JONË SONDAZH

