Presidentët Sergio Mattarella dhe Shi Xhinping përkrahin “Rrugën e Mëndafshit”
Projekti infrastrukturor kinez, “Rruga e Mëndafshit”, që parashikohet të lidhë Europën me Azinë, duhet të inkurajojë si lidhjet tregtare, edhe ato kulturore mes vendeve.
Kështu u shprehën dy presidentët e Italisë, Serxho Matarela, dhe ai i Kinës, Shi Xhinping, gjatë një konference në selinë presidenciale në Romë.
Megjithatë, kreu italian i shtetit nuk la pa adresuar edhe shqetësimet e aleatëve si SHBA-të dhe Bashkimi Europian, që druhen se Kina do të fitojë më shumë nga iniciativa e saj infrastrukturore.
Mattarella: “Rruga e vjetër e Mëndafshit ishte një instrument për ndarjen e njohurive dhe zbulimeve mes popujve. Edhe kjo nismë e re duhet të jetë një rrugë me sens të dyfishtë, ku përveç tregtimit të mallrave të kalojnë edhe idetë, talentet, njohuritë dhe zgjidhjet afatgjata për problemet e përbashkëta.”
Presidenti Shi tha se marrëdhënia Kinë-Itali ka rëndësi përtej raporteve dypalëshe.
Jinping: “Duam që strategjitë tona të ndërveprojnë për ta forcuar më tej bashkëpunimin në infrastrukturë, logjistikë dhe sektorët e transportit detar, në mënyrë që të ndërtojmë projekte kontrete përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Viti 2020 do të shënojë 50-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, dhe kemi vendosur së bashku që viti kinez kulturor të zhvillohet në Itali, dhe ai italian në Kinë.”
Takimi mes dy liderëve u pasua nga tryeza të përbashkëta me sipërmarrëshit e forumeve ekonomike dhe krerë të Senatit e parlamentit italian.
Takimet e udhëheqësit kinez në Itali vijnë në vazhdën e një vizite pesëditore që ai ka planifikuar të mbajë në Europë me qëllim për të lobuar për projektin infrastrukturor “Rruga e Mëndafshit”.
Të shtunën, presidenti i Kinës pritet të nënshkruajë një marrëveshje me qeverinë italiane, çka do e bënte vendin mesdhetar të parin shtet të madh të Bashkimit Europian që përkrah nismën kineze.
KOHA JONË SONDAZH

