Punëtorët francezë në grevë për të mos humbur pensionet e tyre të larta

Reformat e propozuara do të vazhdojnë të përkëdhelin të vjetrit dhe “do të shtrydhin të rinjtë”

Pas muaj të tërë bisedimesh, vonesash të pafundme dhe një jave grevash të vazhdueshme, qeveria franceze zbuloi më në fund reformën e saj mbi pensionet. Lajmi i mirë është se ka vendosur të zbatojë premtimet dhe të realizojë planet, përfshirë shfuqizimin e regjimeve me privilegje të veçanta, pavarësisht grevave masive që kanë mbushur rrugët e Francës, shkruan The Economist. Lajmi i keq është se ky sistem i ri do të ngarkojë me më shumë detyrime gjeneratat e reja të Francës. Në një fjalim të mbajtur së fundmi, Edouard Philippe, Kryeministri i qendrës së djathtë, e përshkroi sistemin e ri universal si një prej “më të drejtëve” që kanë ekzistuar ndonjëherë në Francë dhe që nëpërmjet sistemit të pikëve, ai do të garantojë “drejtësi sociale”. Ai do të zëvendësojë 42regjimet aktuale, shumica e të cilave kanë rregulla të ndryshme, në një të vetëm. Për të gjithë ata që do të hynë për herë të parë në marrëdhënie pune, rregullat e reja do të zbatohen nga viti 2022, dhe për të gjithë ata që janë aktualisht në punë, por janë nën moshën 45 vjeç, rregullat e reja do të zbatohen nga viti 2025. Brezat e vjetër do të mbajnë rregullat ekzistuese. Rregullat e reja të këtij tranzicioni do të sjellin plotësisht në fuqi sistemin e ri deri në vitin 2037. Sipas sistemit të ri, regjimet speciale, të cilat sot i lejojnë shoferëve të trenave të dalin në pension në moshën 50 vjeçare, do të shfuqizohen. Pensionet për punonjësit e sektorit publik do të llogariten sipas rregullave të njëjta (më pak të favorshme) me ato në sektorin privat. Sistemi i ri i bazuar në pikë do t’i lejojë atyre që kanë karriera me kohë të pjesshme, ku numrin më të madh e zënë gratë, që të grumbullojnë pikë për çdo orë të punuar. Një pension minimal mujor prej 1.000 eurosh (1,100 dollarësh amerikanë) do të hyjë në fuqi nga viti 2022, në mënyrë që t’i vijë në ndihmë fermerëve dhe të tjerëve që aktualisht mbijetojnë me më pak se kaq. Ata që kanë të ardhura të larta, do të paguajnë kontribute shtesë për pensionet e të tjerëve. Dhe, megjithëse mosha minimale e pensionit ligjor do të mbetet në 62 vjeç, një “moshë e re ekuilibri” (deri në 64 vjeç) do të krijojë stimuj për të punuar edhe përtej kësaj moshe. Federata Medef (Movement of the Enterprises of France) e përshkroi këtë reformë të re si një “ekuilibër mjaft të mirë”. A do të ndihmojë kjo qasje e moderuar për të qetësuar grevat e ditëve të fundit? Z. Philippe e tha qartazi se ky projekt nuk do të zbatohet në të njëjtën kohë për të gjithë kategoritë e ndryshme të punonjësve, ashtu siç në fakt duan sindikatat. Që nga 5 dhjetori  SNCF, hekurudha kombëtare, si dhe trenat rajonalë, stacionet e metrove të Parisit dhe stafi tokësor i aeroportit, kanë hyrë në grevë, e cila mendohet se do të vazhdojë. Edhe mësuesit po organizojnë protesta të ndryshme ditë pas dite. Sindikatat e dinë fare mirë se qeveritë e kaluara franceze janë tërhequr përballë grevave paralizuese. Alain Juppé, Kryeministër në 1995, këmbënguli se ai do të qëndronte i palëkundur përballë aksionit industrial, por vetëm disa javë më pas u tërhoq nga reforma e tij e re e pensioneve. Z. Macron është i prirur t’u vërtetojë francezëve se ai është ndryshe nga të tjerët. Ai ka argumentuar prej kohësh se Franca duhet të “transformohet” dhe jo thjesht “të reformohet”. Kjo është arsyeja se përse ai premtoi gjatë fushatës së tij elektorale në 2017 se nuk do të rriste moshën e daljes në pension për se do të riformatonte të gjithë sistemin. Prandaj, në diskutim nuk vihet vetëm aftësia e Francës për të krijuar një regjim pensioni më të drejtë dhe më fleksibël, por edhe reputacioni i z. Macron si një reformator, që realizon ato që premton. Së fundmi, sindikatat e linjës së ashpër u zotuan njëzëri se nuk do të dilnin nga greva edhe për shumë ditë të tjera në vazhdim. Edhe Konfederata franceze Demokratike e Punës (Confédération Française Démocratique du Travail) një bashkim më i moderuar dhe që e mbështet sistemin e bazuar në pikë, tani është e zemëruar ndaj këtij regjimi të ri të pensioneve për shkak të “epokës së ekuilibrit”. Tani për tani, një shumicë e francezëve vazhdojnë t’i mbështesin grevistët, ashtu si vepruan edhe në 1995. Sa më gjatë që të vazhdojnë greva të tilla, aq më shumë do të reduktohet edhe numri i personave që i mbështesin ato. Në ditën e parë, numri i grevistëve dhe mbështetësve të tyre arriti në 800,000 persona. Ndërsa më 10 dhjetor ai ra në 339,000. Pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë ka rënë nga 47 për qind në fillim të saj në 16 për qind gjatë ditëve të fundit. Edhe pjesëmarrja e punëtorëve që pezulluan punën e tyre në SNCF, ka rënë nga 56 për qind që ishte në fillim të saj. Megjithatë, shumica e linjave të metrove në Paris dhe trenat e shpejtësisë së lartë nëpër të gjithë vendin, vazhdojnë të jenë të mbyllura. Kjo grevë mund të zgjasë akoma. Një vit pas protestave të jelekverdhëve, Franca nuk ka gjetur ende qetësinë e saj. Tani, një situate të tillë i është shtuar edhe një ndarje e mëtejshme, midis brezave. “Gjenerata e personave të lindur ndërmjet viteve 1946 dhe 1964” përfiton nga sistemi aktual dhe dëshiron të shmangë me çdo kusht realizimin e çdo reforme të re pensioni”, shprehet Maxime Sbaihi nga Génération Libre, një organizate e pavarur studiuesish. Ata që kanë kohë që përfitojnë nga mirëqenia e shtetit bujar të Francës, janë të vendosur të vazhdojnë grevën për të mbrojtur të drejtat e tyre për të gëzuar një prej sistemeve më të bujshme të pensioneve në botë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?