Trump paralajmëron Iranin: Ose marrëveshje, ose do t’ju shkatërrojmë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sinjalizuar se administrata amerikane po shqyrton hapat e radhës në konfliktin me Iranin, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten. Irani paralajmëroi të dielën se çdo sulm i ri amerikan ose nga aleatët e SHBA-së do të sillte kundërpërgjigje ndaj bazave dhe interesave amerikane.
Sipas deklaratave të Trump, të bëra në një intervistë telefonike për Fox News, në tryezë janë disa skenarë, përfshirë mundësinë e një marrëveshjeje me Teheranin, vijimin e presionit ekonomik dhe opsione të tjera ushtarake.
Trump u shpreh se përballet me një vendim të rëndësishëm lidhur me Iranin. Deklaratat e tij vijnë pak ditë pasi ai kishte thënë se shpresonte që lufta, e cila ka hyrë në muajin e shtatë, të ishte pranë përfundimit.
“Pyetja ime është: kur dhe nëse do ta shkatërroj të gjithë vendin?”, tha Trump, duke shtuar: “Më mirë të sillen mirë.”
Ndërkohë, kthimi i parakohshëm i presidentit amerikan nga Camp David në Shtëpinë e Bardhë ka shtuar vëmendjen mbi hapat që mund të ndërmarrë administrata amerikane. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një arsye të detajuar për ndryshimin e programit.
Situata mbetet e tensionuar edhe për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit dhe ndikimit të konfliktit në transportin dhe tregjet globale të energjisë. Paralelisht, Irani ka paraqitur kushte për rikthimin në negociata, ndërsa përpjekjet diplomatike vijojnë përmes ndërmjetësve rajonalë.

