Rrëzohen akuzat ndaj Alec Baldwin për vrasjen në xhirimin e filmit “Rust”. Aktori shpërthen në lot
Alec Baldwin shpërtheu në lot ndërsa një gjykatës në Nju Meksiko rrëzoi çështjen e vrasjes së pavullnetshme kundër tij në xhirimet e filmit Rust.
Është hera e dytë që çështja kundër aktorit pushohet.
Me kërkesë të prokurorëve, një juri e madhe pati ringritur akuzat në janar ndaj aktorit Alec Baldwin për vrasje nga pakujdesia gjatë incidentit fatal të vitit 2021, duke e rikthyer kështu çështjen ndaj aktorit të njohur.
Ai nuk do të gjykohet më.
Avokatët e tij pretenduan se policia dhe prokurorët fshehën prova – një grumbull plumbash – që mund të kishin lidhje me të shtënat.
Zoti Baldwin, aktori kryesor dhe bashkë-producent i filmit Western “Rust”, po i drejtonte armën kineastes Halyna Hutchins, gjatë provave, kur arma u shkrep, duke vrarë kineasten dhe duke plagosur regjizorin Joel Souza. Zoti Baldwin ka thënë se nuk e ka tërhequr këmbëzën e armës.