”Test” për ekonominë turke, përballë fuqizimit të Erdogan
Monedha turke ka pësuar rënie të ndjeshme ndërkohë që rriten shqetësimet se qeveria e Erdoganit do të ndjekë politika ekonomike të pazakonta ndaj bankës. Presidenti Erdogan, i cili synon që bankat islamike të përfaqësojnë 1/4 e institucioneve financiare në vend, kundërshton me forcë interesat bankare që i cilëson si “nëna dhe babai i të gjitha të këqijave”. Ai i kundërvihet parimit ekonomik që me rritjen e interesave, bie inflacioni.
Investitorët presin që Banka Qendrore e Turqisë të rrisë interesat për të vënë nën kontroll inflacionin, që aktualisht përllogaritet në rreth 15%, ndër më të lartit në botën e zhvilluar.
“Nëse nuk rritet norma e interesit, tregjet do ta shohin këtë si një sinjal shumë negativ,” tha ekonomisti Inan Demir i firmës Nomura Securities. Lira turke ka rënë rreth 30% që nga fillimi i vitit. Një shqetësim tjetër janë masat e gjera ekzekutive që ka marrë Erdogani që nga zgjedhjet e muajit të kaluar.
Gjatë fushatës udhëheqësi turk u zotua të ushtrojë kontroll më të fortë mbi ekonominë, përfshirë mbi Bankën Qendrore, që është institucion i pavarur. Me emërimin e dhëndrit të tij si ministër i financave, Ergogani i ka acaruar shqetësimet ndërkombëtare.
Investitorët presin të shohin vendimet që do të dalin nga takimi i Bankës Qendrore nesër. Një ndër shqetësimet është se Ankaraja mund të miratojë masa të forta që pengojnë daljen e kapitalit jashtë vendit. Analistët e shohin kontrollin mbi lëvizjen e kapitalit si vetëvrasje për ekonominë turke. Kjo do të rezultonte në rënien e kredibilitetit financiar të Turqisë gjë që i heq vendit mundësinë për të marrë borxh pesë miliardë dollarë në muaj që i duhen për të mbuluar mungesat aktuale në buxhet.
KOHA JONË SONDAZH

