”Zhurmë e madhe, zero efekt”, Spaho kritikon aksionin e PD në Kuvend: Rama nuk po lëkundet
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho flet për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pas çështjes së Vlora Hysenit dhe kërkesën e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Spaho e cilësoi qëndrimin e opozitës si pjesë të një “lufte politike”, duke argumentuar se Këshilli i Sigurimit është organ këshillues dhe se mbledhja e tij ishte e domosdoshme.
“Këshilli i Sigurimit është organ konsultativ, nuk është vendimmarrës. Ishte e natyrshme që të mbahej ky takim pas çështjes së Hysenit. Rasti ngarkon me përgjegjësi qeverinë, por nuk kuptoj qëndrimin e opozitës. Opozita ka detyrimin të japë këndvështrimin e saj se si mund të evitohen ngjarje të tilla në të ardhmen. Por ajo e orienton të gjithë debatin në spektrin e luftës politike, si të vijë në pushtet një orë e më parë”, deklaroi Spaho.
Sipas tij, dorëheqja e Ramës do të mund të kërkohej vetëm nëse mazhoranca do të humbiste mbështetjen në Kuvend, gjë që sipas tij nuk po ndodh. “Kryeministri jep dorëheqjen nëse i lëkundet mazhoranca në Kuvend. Nuk ka asnjë shenjë që kjo mazhorancë është lëkundur”, u shpreh ai.
Spaho kritikoi ashpër edhe opozitën, duke thënë se ajo bën vetëm zhurmë në Kuvend dhe se PD duhet të përmbyset komplet. ”Nuk bëhet fjalë që opozita të kthehet në pushtet, sepse qytetarët kanë humbur besimin. Si mund të kenë besim kur në krye është i njëjti person për 35 vjet dhe nuk zhvillon zgjedhje, aq më tepër për kryetarin e saj? Si mund të besohet një forcë politike që bën vetëm zhurmë në Kuvend? Njerëzit shohin dhe reflektojnë. Të rrish e të presësh dorëheqjen e kryeministrit është alogjike nga opozita. PD duhet të përmbyset komplet”, u shpreh Spaho.

