”Llogaria e Edi Ramës ka rënë”, Bardhi thirrje kryeministrit: Shqiptarët presin të mbash përgjegjësi
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përgjegjësi politike lidhur me situatën, që sipas tij është krijuar në vend. Gjatë një konference për shtyp, Bardhi deklaroi se llogaria e Edi Ramës ka rënë dhe e cilësoi kryeministrin si arkitektin e kapjes së shtetit.
”Edi Rama, dil dhe jep llogari. Shqiptarët presin të mbash përgjegjësi. Dhe përgjegjësia e parë që të takon ty, Edi Rama, është politike. Jep dorëheqjen”,-tha Bardhi. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po mban peng Partinë Socialiste dhe Shqipërinë, duke e lidhur atë në deklaratat e tij me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
”Mos mbaj më peng të krimit të organizuar dhe të korrupsionit Partinë Socialiste, as Shqipërinë”, tha Bardhi. Ai shkoi më tej duke kërkuar edhe përgjegjësi penale për kryeministrin, duke deklaruar se Rama “duhej të ishte prej kohësh pas hekurave të burgut”.

