Tregjet aziatike – Rikuperohet Bursa pas rënies së shkaktuar nga fitorja e Trump
Tregjet aziatike janë rikuperuar pas rënies drastike të së mërkurës, shkaktuar nga fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. E enjtja nisi me një rritje në tregjet europiane dhe amerikane, teksa kriza që shumë prisnin, nuk arriti të materializohej. Indeksi i Japonisë u rrit deri në 6.7%, duke rikuperuar kështu humbjet nga periudha e mëparshme. Indeksi i Hong Kong-ut u shtua me 2.1% ndërkohë që ai australian shkoi deri në 3.3%.
Tregtarët kishin parashikuar që zonja Clinton të shpallej fituese ndaj Donald Trump. Fitorja e republikanit fillimisht çoi në depozitimin e menjëhershëm drejt strehave të sigurta të aksioneve, arit dhe monedhave, duke përfshirë këtu edhe yen-in. Por, pavarësisht rënies së tregjeve aziatike gjatë të mërkurës, tregjet kryesore amerikane u përmirësuan fuqishëm përgjatë ditës, duke u mbyllur me një rritje më të madhe se 1%.
Strategët argumentojnë se investitorët dhe tregjet aziatike ndërruan pozicionet pasi panë reagimin pozitiv dhe optimist të tregjeve amerikane.
Në Wall Street, indekset e bursës u rritën me më shumë se 1%, ndërkohë që edhe në Londër, situata ishte e njëjtë. Rritja më e madhe është shënuar në bursën franceze dhe atë gjermane, ku indekset arritën deri në 1.5%. Edhe dollari amerikan pësoi një rritje përgjatë ditës, ndërkohë që vazhdon të fitojë terren edhe në Azi. Analistë të bursës thonë se fjalimi i fitores së Trump, ku ai kërkoi që vendi të bashkohej, ndihmoi në qetësimin e tregjeve. Pas shokut fillestar, investitorët duket se do të kenë besim në adiministratën Trump, nga e cila ata presin lajme të mira për biznesin, me taksa më të ulëta dhe barra rregullatore më të vogla. Por, edhe pse Trump ka shpalosur disa politika të gjera ekonomike, ku përfshihen rinegocimi i marrëveshjeve të tregtisë dhe ulja e taksave të korporatave, analistët thonë se nuk ka siguri nëse këto politika do të realizohen apo jo.
KOHA JONË SONDAZH

