Trump firmosi sanksionet për ndërtuesit e gazsjellësit “Nord Stream 2”

Rusia dhe Gjermania e kundërshtojnë vendimin e Washington për të ndëshkuar me sanksione kompanitë që po ndërtojnë tubacionin e gazit “Nord Stream 2” që lidh të dyja vendet.

Ligji i firmosur nga presidenti Donald Trump hyri në fuqi të premten, dhe u lë personave të përfshirë 30 ditë kohë që të braktisin projektin, në të kundërt do përballen me revokim të vizave dhe do u bllokohen asetet financiare e pronat fizike.

Për ekspertët, pala amerikane po ndërhyn më forcë në gjeopolitikën e kontinentit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Për mendimin tim, këto sanksione nuk janë të ligjshme, sepse janë ekstraterritoriale, kërcënojnë njerëzit dhe kompanitë që nuk kanë seli në Amerikë dhe që nuk zotërohen nga qytetarët e saj. Është një lloj akti agresiv,”- deklaron Sigrid Fisher, drejtues i institutit gjerman Velt-Trends për Politikat Ndërkombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas tij, gazi rus është thelbësor për Gjermaninë për të plotësojë nevojat e saj për energji tani që ka vendosur të ndjekë politika më ambientaliste për prodhimin e saj.

“Po heqim dorë nga energjia e prodhuar nga reaktorët bërthamorë, nga qymyrguri, ndaj çfarë na mbetet tjetër. Kemi erën, diellin, por për vitet që vijnë na duhet gazi. Në këtë kuptim Gjermania do të jetë një aktor tepër i rëndësishëm në tregun e gazit,”- shton doktor Fisher.

Gazsjellësi “Nord Stream 2” do të transportojë gaz rus drejtpërdrejt në Gjermani nëpërmjet Detit Balltik, duke shmangur Ukrainën dhe Poloninë.

Për shkak të sanksioneve amerikane, një nga kontraktorët zviceranë ka pezulluar aktivitetet e shtrimit të tubacionit, ndërsa grupi drejtues thotë se puna po vazhdon sipas planit për ta vënë projektin në funksion në mesin e vitit 2020.

/Ora News.tv/

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?