Trump mesazh për unitet ditën e Falenderimit
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka uruar popullin amerikan në Ditën e Falenderimeve, duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe mirënjohje.
Në një video-mesazh, Trump është shprehur se kjo është koha për ta që të shërojnë plagët e përçarjes dhe të bëjnë histori, duke sjellë ndryshime të vërteta për qytetet dhe komunitetet. Republikani kërkoi që populli amerikan ta ndihmonte atë në përpjekjet për rindërtimin e vendit.
Pas fushatës zgjedhore, që ai e quajti “të gjatë dhe të ashpër”, Trump tha se emocionet në vend janë ende të forta. Ka ardhur koha të shërojmë plagët e përçarjes”, tha republikani, i cili gjithashtu shtoi se tensionet nuk mund të shuhen brenda natës.
Më herët, ai emëroi dy gra në kabinetin e tij, të dyja figura të rëndësishme përgjatë fushatës presidenciale.
Në kuadër të Ditës së Falenderimeve, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë për të bërë histori, për të sjellë ndryshime të vërteta në Uashington si dhe siguri në qytete e begati për komunitetet.
Trump ftoi të gjithë amerikanët t’i bashkoheshin kauzës së tij për rindërtimin e vendit, duke rikthyer besimin mes qytetarëve dhe duke parë me entuziasëm drejt të ardhmes.
Një ditë më parë, presidenti i zgjedhur emëroi Nikki Haley si ambasadore e vendit në Kombet e Bashkuara dhe Betsy DeVos si sekretare e arsimit.
Emërimet e tij do të duhet të kalojnë përmes Senatit që dominohet nga republikanët.
Sipas biznesmenit, Nikki Haley, e cila ka pranuar emërimin, do të jetë një udhëheqëse e shkëlqyer që do të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare.
Gjithsesi, zonja Haley ka qenë një ndër kritikueset e Trump gjatë fushatës së tij, duke sulmuar veçanërisht propozimin e tij për ndalimin e emigrantëve muslimanë, gjë e cila sipas saj, është “jo-amerikane”.
KOHA JONË SONDAZH

