Turistët “ngecin” në Europë

Me frikën se mund të mbeten të bllokuar për shkak të masave izoluese që kanë ndërmarrë shtetet në mbarë Europën, mijëra turistë kanë nxituar drejt aeroporteve në përpjekje për të siguruar udhëtimin drejt shtëpisë së tyre. Në Ishujt Kanare janë parë radhë të gjata pasagjerësh teksa kompanitë ajrore kanë reduktuar një numër të madh fluturimesh drejt Spanjës dhe ishujve përreth për të frenuar përhapjen e virusit. Kompania ajrore Jet2 është detyruar të devijojë në mes të rrugës për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë që njoftohej për vendosjen e karantinës në disa prej destinacionet të tyre.

Pasi Spanja shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, janë mbyllur bare, restorante, klubet e natës dhe kafenetë. Banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm në raste të domosdoshme si blerja e ushqimeve apo e medikamenteve. Policia ka zbarkuar në rrugë për të siguruar zbatimin e këtyre masave. Edhe në Marok gjenden turistë që kanë mbetur të bllokuar nëpër aeroporte pasi mbretëria shpalli kufizime në kufi si përgjigje ndaj coronavirus.

Maroku ka pezulluar rrugët detare, ajrore dhe tokësore me vendet e BE-së dhe Algjerinë gjatë së premtes si dhe masa të tjera kufizuese për qytetarët për të shmangur përhapjen e virusit. “Kemi ngelur peng në Marok sepse na është thënë që të organizohemi me kompaninë ajrore por ata nuk mund të na ofrojnë gjë pasi nuk ka avionë”, thotë një turist francez.

Anulimi i fluturimeve

Sektori i linjës ajrore është goditur rëndë nga coronavirus. Lufthansa, kompania më e madhe ajrore në Europë, ka parkuar disa dhjetëra aeroplanë të saj në aeroportet e Berlinit dhe Frankfurtit. Përmes një deklarate, kompania e cila përfshin edhe linjat Swiss, Austrian dhe Brussels Airlines, tha se shifrat e pasagjerëve janë në kolaps.

“Përhapja e coronavirus po ndikon shumë mbi kërkesën globale të udhëtimeve ajrore. Kjo përfshin edhe kufizimet e udhëtimeve për pasagjerët që nisen nga BE, të sanksionuara nga autoritetet amerikane. Gjatë javës së shkuar rezervimi i biletave ishte 50 për qind më i ulët në krahasim me vitin e shkuar. Gjithashtu, ka dhe një rritje të madhe të fluturimeve të anuluara.”

“Në javët në vijim, oraret e fluturimeve mund të reduktohen deri në 70 për qind”. Ryanair ka deklaruat se do të reduktojë kapacitetin deri në 80 për qind në muajt në vijim dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e pezullimit të plotë të gjithë fluturimeve.

SHKARKO APP