Vaksina anticovid Pfizer-BioNTech/ Prej 8 dhjetorit nis vaksinimi në Britaninë e Madhe, mbërrin kontingjenti i parë

Britania e Madhe u shndërrua në vendin e parë që jep aprovimin për përdorim emergjent të vaksinës Pfizer dhe Biontech, duke rritur shpresat për t’i dhënë fund epidemisë në atë vend, nga një virus i cili në mbarë botën ka infektuar mbi 65 milionë vetë dhe ka shkaktuar rreth 1 milion e 500 mijë vdekje.

Ndërkohë kontingjenti i parë i dozave të vaksinave Pfizer/BioNTech ka zbritur në Mbretërinë e Bashkuar. Ngarkesa u dërgua në një qendër sekrete të mbledhjes ku do të ruhet në -70 gradë.

Shpërndarja do të fillojë nga fundjava, ku përparësi absolute i është dhënë të moshuarve, sidomos atyre në azile dhe personelit të tyre. Përveç këtyre prioritet do të kenë mjekët dhe shërbimet e shëndetësisë. Ndërsa vaksinimi do të fillojë të martën më 8 dhjetor.

Qeveria e Boris Johnson ka rezervuar 40 milionë doza të kësaj vaksine, 10 milionë prej të cilave priten këtë vit. Pfizer dhe BioNTech treguan më herët se vaksina e tyre ishte 95 për qind efektive dhe është e sigurt për t’u përdorur.

“Unë thjesht dua të falënderoj të gjithë shkencëtarët në BioNTech dhe Pfizer, të cilët po e prodhojnë këtë, me të cilët kemi punuar kaq ngushtë. Ne jemi vendi i parë në botë që kemi një vaksinë të autorizuar klinikisht për t’u shpërndarë.”-tha dy ditë më parë ministri i shëndetësisë, Hancock.

SHKARKO APP