Vidhnin lajme, arrestohen disa gazetarë në Bjellorusi
Disa gazetarë janë arrestuar në kryeqytetin e Bjellorisë, Minsk, pasi akuzohen se kanë marrë ilegalisht lajme nga Agjencia shtetërore e Lajmeve “Belta”.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme bjelloruse tregojnë se të pandehurit kanë ndërhyrë gjatë dy viteve të fundit rreth 15.00 herë në databankën e agjencisë së Lajmeve “Belta”, pa paguar për aksesin.
“Kemi të bëjmë thjesht me vjedhje. Personat e përmendur nuk kanë paguar. Ata kanë përvetësuar informacionet duke krijuar aksesin përmes të dhënave të huaja”, ka deklaruar për një gazetë lokale drejtoresha e “Belta-s”, Irina Akuloviç.
“Belta” publikoi të martën telefonata të regjistruara mes redaktoreve të “tut.by”. Në këtë bisedë telefonike një redaktore pranon që përdor dhe vjedh informacione. Megjithatë, vërtetësia e telefonatës ende nuk është konfirmuar.
Gazetarët e “tut.by” dhe shumë kolegë të tyre nga mediat e tjera thonë se vjedhja e lajmeve nuk ka aspak kuptim, pasi lajmet e “Belta” janë të bllokuara me pagesë vetëm në 15 minutat e para, më pas kushdo mund të ketë akses tek to.
“Po ashtu një akses primar për një redaksi të tërë kushton rreth 300 euro në muaj, ndaj nuk ka arsye që të krijosh akses ilegal”, thotë më tej themeluesi i “tut.by” Juri Zisser për gazetën “Meduza.io”.
Autoritetet hetimore megjithatë flasin për një “akses të palejuar me qëllim të përfitimit personal”. Nëse gazetarët provohen si fajtorë, ata mund të dënohen deri me 2 vjet burg.
KOHA JONË SONDAZH

