Vijojnë bisedimet post-Brexit, synohet marrëveshja për tregti të lirë

Britania e Madhe arriti të përmbushë në fillimin e vitit objektivin për daljen nga Bashkimi Europian, por dy partnerët ende po synojnë kompromisin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të ardhmen.

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe do të intensifikojnë bisedimet gjatë muajve të verës për të përvijuar raportet e reja të bashkëpunimit.

Britania u largua nga unioni më 31 janar pas 47 viteve anëtarësi në BE, por partneriteti i ri po has vështirësi pasi mungon kompromisi për rregullore të ndryshme, që nisin me tregtinë e lirë e përfshijnë edhe politikat mjedisore, sociale, jurisprudencën dhe sigurinë e përbashkët.

Palët kanë përcaktuar një afat njëvjeçar për marrëveshjen por tani që ka kaluar gjysma e kohës para përfundimit të periudhës së tranzicionit të Breksitit, ende ekzistojnë ndasi.

“Për të kërcyer tangon duhen dy palë dhe ne jemi në gjysmën e negociatave kur mbeten edhe pesë muaj. Do tregohemi sa më konstruktivë dhe do gjejmë mënyra kreative, por nuk ka për të pasur marrëveshje gjithëpërfshirëse pa qenë kushtet të barabarta. Nga ana jonë do bëjmë gjithçka për të pasur një fillim të mbarë me Britaninë si një vend i tretë, si një fqinj,” u shpreh të mërkurën para europarlamentarëve, presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen.

Marrëveshja mes 27 vendeve të BE-së dhe Britanisë do duhet të ratifikohet nga Parlamenti Europian por disa ligjvënës kërkojnë të bëhen përgatitjet në rast se bisedimet dështojnë.

Edhe kryenegociatori i Brukselit, Mishel Barnie, thotë se nuk mund të sakrifikohen parimet dhe integriteti i unionit.

“Marrëveshja është e vështirë, por mbetet e mundur, ndaj bashkë me homologun tim britanik dhe ekipin e tij negociator, do intensifikojmë negociatat në muajt korrik, gusht dhe shtator.”

Bashkimi Europian kërkon që pas Breksitit, Britania e Madhe të zbatojë standarde të posaçme për të pasur akses në tregun e brendshëm të unionit por edhe marrëdhënie më të ngushta me institucionet juridike, ligjzbatuese dhe sociale për qytetarët e saj.

Në Britani, kryeministri i vendit, Boris Xhonson, zotohet po ashtu për konstruktivitet.

“Mendoj se qytetarët tanë janë vërtet të lodhur me atë që po ndodh me Breksitin dhe duan që kjo çështje të marrë zgjidhje. Për ne marrëveshja mund të arrihet muajin tjetër dhe periudha që do vijë më pas ka për të qenë nga më produktivitet për vendin,” premtoi Xhonson një ditë më parë para ligjvënësve britanikë.

SHKARKO APP