Zjarret përfshijnë Europën Jugore, situatë alarmante në Kroaci dhe Greqi
Zjarret që kanë përfshirë disa vende të Europës vijojnë të shkaktojnë situata alarmante, ndërsa autoritetet dhe ekipet e emergjencës po luftojnë për të frenuar përhapjen e flakëve. Një nga vatrat më problematike ndodhet në Kroaci, ku gjatë gjithë natës ka vazhduar beteja me zjarrin pranë Brbinjit, në ishullin Dugi Otok.
Flakët shpërthyen mbrëmjen e së premtes dhe u përhapën me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, erërave dhe bimësisë së dendur. Në operacion janë angazhuar rreth 100 zjarrfikës, të cilëve gjatë natës iu bashkuan edhe 50 efektivë të tjerë së bashku me 17 mjete zjarrfikëse të transportuara në ishull. Sipas autoriteteve, zjarri është ndarë në dy fronte aktive, njëri rreth një kilometër i gjatë dhe tjetri afro 600 metra.
Terreni i pjerrët dhe zonat e vështira për t’u arritur kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen, ndërsa prania e banesave të shpërndara në afërsi ka rritur rrezikun për banorët. Situata mbetet kritike edhe në Omis, ku një zjarr i madh shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe humbjen e një jete. Qindra banorë dhe turistë u detyruan të largoheshin me urgjencë, ndërsa flakët iu afruan zonave të banuara. Për pasojë, disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike dhe u dëmtuan shtëpi, automjete e mjete lundruese.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, e cilësoi situatën jashtëzakonisht të rrezikshme, duke vlerësuar punën e zjarrfikësve. Ai deklaroi se flakët u përhapën me shpejtësi të madhe dhe se shmangia e një katastrofe edhe më të rëndë ishte falë përpjekjeve të tyre.
Ndërkohë, zjarret nuk kanë kursyer as vende të tjera të Europës. Në Francën jugperëndimore, qindra banorë u evakuuan pasi flakët përfshinë pyjet me pisha në rajonin Landes. Edhe Greqia po përballet me një situatë të vështirë, ku në zonën bregdetare të Sivirit, në veri të vendit, banorët dhe turistët u larguan me gomone e varka, ndërsa tymi i dendur mbuloi qiellin dhe zjarri kërcënoi zonat përreth. Situata mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet në disa shtete europiane vijojnë të jenë në gatishmëri për shkak të rrezikut të lartë nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta.
KOHA JONË SONDAZH

