Bëhuni gati! Rama i premton kancelares Merkel zgjedhjet e parakohshme

Nuk ka se si parlamenti gjerman dhe kancelarja gjermane “harruan” 9 kushtet e tyre ndaj kryeministrit Rama, përveç me garancinë e Ramës për zgjedhje të parakohshme, të cilat pritet t’i shpallë sapo të miratohet Reforma Zgjedhore me 15 mars të këtij viti. Ndaj PS, PD dhe LSI kanë filluar praktikisht fushatën duke shkuar në bazë për të patur bazën gati për zgjedhjet parlamentare.

Kryeministri Edi Rama vizitoi dje Berlinin për t’u takuar personalisht me kancelaren, Angela Merkel. Mesazhet publike që kancelarja Angela Merkel dha në konferencën për media me kryeministrin Edi Rama ishin mëse pozitive. Liderja e Gjermanisë dhe Europës shprehu edhe njëherë mbështetjen për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Merkel deklaroi se do të kërkojë në samitin e krerëve të BE-së në muajin mars dhe më pas në samitin e Kroacisë në muajin maj, që BE-ja të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, kancelarja deklaroi se Gjermania do të angazhohet në procesin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri, si dhe inkurajoi vazhdimin e reformave. Pjesa më e rëndësishme e deklaratës së Merkel është çështja e negociatave. Kancelarja nuk përmendi asnjë kritikë, por në mënyrë të qartë tha se vendi i rajonit është në BE dhe gjithë vendet e tjera të BE-së “duhet të shohin hartën dhe të kuptojnë arsyet gjeopolitike”. Pra, procesi i integrimit dhe negociatave tashmë shtrohet si një kërkesë që vjen për të mos lejuar futjen e faktorëve të tjerë ndërkombëtarë në lojë në Ballkan. Deklaratat e optimiste të Merkel për Shqipërinë dhe shmangia me kujdes e kritikave nga qëndrimet publike duken si një ndryshim, po të kemi parasysh se Bundestagu gjerman ka miratuar gati një vit më parë një listë më 9 kushtet “masakruese” për qeverinë “Rama”. Mes kushteve; më kryesoret ishin dënimi i korrupsionit, legjitimiteti i zgjedhjeve dhe ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese në vend. Qeveria gjermane, kryetarë të komisioneve të Bundestagut dhe mediat kryesore në Gjermani prej kohësh kanë ngritur shqetësime serioze për mënyrën sesi po qeverisë Edi Rama në Shqipëri. Pra, për shumë politikanë vendimmarrës në Gjermani qeveria “Rama” ka probleme serioze me mënyrën sesi po mban pushtetin dhe po bën hapa pas në kriteret e kërkuara nga BE. Atëherë si shpjegohet që Angela Merkel “harroi” të përmendte kushtet e Bundestagut, problemet me gjykatat, mungesën e bilancit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit? Arsyeja që në konferencë u thanë vetëm fjalë të mira ka të bëjë me kthesën e fortë që ka vendosur të ndërmarrë Edi Rama. Pjesëtarë të delegacionit qeveritar shqiptar që shoqëronin dje Edi Ramën thanë dje se kreu i qeverisë i ka premtuar kancelares Merkel zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme është premtuar nga kryeministri Edi Rama, si një lëvizje që do të zgjidhte krizën politike dhe do të plotësonte shumicën e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. Një prej kushteve të Bundestagut ka qenë dhe bërja e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR. PS dhe opozita kanë nisur prej disa javësh diskutimet për miratimin e saj dhe afati i fundit final i vendosur nga palët është 15 marsi. Pas miratimit të kësaj reforme, kreu i qeverisë pritet të bëjë dhe lëvizjen politike të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Caktimi i një date për zgjedhjet e reja, formalisht shmang dhe krizën politike dhe në samitin e radhës së BE-së emri i Shqipërisë, të paktën, nuk do të lakohet më si një vend me krizë të rëndë politike dhe me qeveri problematike. Një zhvillim i tillë para samitit të Kroacisë në muajin maj, e bënë me të lehtë dhe avokatinë e vendeve pro integrimit në BE, përballë vendeve të tjera që janë kundër. Sigurisht zgjedhjet nuk mund të mbahen direkt pas datës 15 mars kur përfundon reforma, por shprehja e qëndrimi politik nga Edi Rama do të jepte sinjalet e duhura të një demokracie funksionale. Premtimi për zgjedhjet e parakohshme dhe zgjidhjen e krizës politike duket se është dhe arsyeja që deklarata e djeshme e Angela Merkel ishte pa kritika publike  ndaj qeverisë “Rama”. Sepse jo publikisht dihet se 9 kushtet e Bundestagut janë ende të paplotësuara dhe ata që i votuan po mbajnë shënim se çfarë është bërë deri më sot.

Ndaj nuk ka se si parlamenti gjerman dhe kancelarja harruan 9 kushtet e tyre ndaj kryeministrit Rama, përveç me garancinë e Ramës për zgjedhje të parakohshme.

Mili Xhani

SHKARKO APP