FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Mirësevjen zonja Merkel!

 
Nga Qamil Xhani.
 
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbërrijë sot në Tiranë në një vizitë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Gjermania është vendi i parë që kur ende nuk kishte rënë komunizmi ka dhënë kontribut për zhvillimin e Shqipërisë. Në zhvillimet e 30 viteve të fundit ende quhet si “shansi i humbur gjerman” vizita e kryeministrit të Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus. Gjatë viteve 1984-1987, ai do të mbërrinte tre herë në Shqipëri, i mahnitur nga mundësitë që kishte ky vend për t’u zhvilluar, por edhe i befasuar nga drejtuesit komunistë të kohës që refuzuan me kokëfortësi plane miliona dollarëshe të ofruara nga qeveria gjermane për investime. Në ato vite, drejtuesit e partive komuniste nuk e njihnin fjalën ‘reformë’ dhe aq më pak, nuk e kishin idenë sesi mund të zhvillohej një vend duke hapur tregun. Në këto vizita vendi komunist që kishte kohë që vuante për ‘bukën e gojës” humbi shansin për të qenë një nga shtetet më të zhvilluarit në rajon. Pavarësisht kësaj, këmbëngulja gjermane për të pasur marrëdhënie normale mes dy vendeve bëri që në vitet 1988-1989 Shqipëria e izoluar të  ketë një sërë marrëveshjes ekonomike me Gjermaninë.
Por në më shumë se 26 vite në Shqipëri ka ndryshuar shumëçka. Është ndryshuar sistemi komunist. Madje lidhja e marrëdhënieve me Gjermaninë mund të quhet si sinjali i parë i hapjes së Tiranës zyrtare me Perëndimin. Shqipëria është bërë vend anëtar i NATO-s dhe është në pritje për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Gjermania është një nga donatorët kryesorë të projekteve për zhvillimin e vendit. Investimet gjermane në Shqipëri në 25 vitet e fundit kanë arritur vlerën e 1 miliard eurove. Investimet e saj kanë rol pothuaj parësor dhe të gjitha qeveritë shqiptare janë munduar të kenë sa më shumë investitorë gjermanë. Por dëshirat nuk janë përputhur kurrë me kushtet e terrenit shqiptar. Pamundësitë kanë ardhur gjithmonë për shkakun tonë. Për biznesin e madh gjerman Shqipëria ka qenë një vend i pasigurtë për investime serioze për shkak të problemeve me sistemin gjyqësor, burokracitë dhe korrupsionin në institucione. Një shqetësim ky i shprehur disa herë nga diplomatët gjermanë në Tiranë. Vitet e fundit, garancia e shtetit për investimet serioze që ka qenë më e madhe. Ndaj dhe vizita e kancelares Merkel sot në Tiranë është një pikë kthese.
Por veç mesazhit për raportet dypalëshe vizita e Merkel ka simbolikën edhe për rolin e Shqipërisë në rajon. Gjermania është sot lokomotiva e Europës dhe Merkel cilësohet si Kryeministrja e BE. Në një union të drobitur nga kriza ekonomike dhe me paqartësi kur bëhet fjalë për vendime deçizive, gjithë Bashkimi Europian i ka sytë nga Gjermania. Kjo ka bërë që Zonja e Hekurt e të cilësohet si dhe “Kryeministrja e Europës”. Ndaj dhe zgjedhja e Merkel për të vizituar Shqipërinë i jep Tiranës zyrtare dhe qeverisë së sotme një imazh tjetër në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por nga ana tjetër, është dhe një sinjal për procesin e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vitet e fundit, Gjermania, si një prej vendeve kryesore të BE-së, e ka shtuar interesin për zonën e Ballkanit. Fakti që Shqipëria është një pikë kryesore e axhendës së Merkel tregon edhe për rëndësinë që ka Shqipëria në zhvillimet në rajon. Vizita ndodh një vit pas takimit të liderëve të rajonit në Berlin, ku Merkel paraqiti planin e saj për procesin e integrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor. Një plan që këtë herë duhet trajtuar me seriozitet nga pala shqiptare, për të mos përfunduar sërish si një “shans i humbur gjerman”.
Sot zbret në tokën shqiptare Kryeministrja de facto e Bashkimit Europian.
 
 Mirësevjen Merkel !
 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?