Nis EPOKA E RE politike në Kosovë. Prova e parë e Kurtit në raportet me Vuçiç

-Albin Kurti jo vetëm nga natyra e tij personale e krejtësisht parimore e kombëtare në raport me Sërbinë, por edhe si kryeministër tashmë ka shansin t’i vendos “kufirin te thana” Presidentit serb Vuçiç dhe krejt politikanëve kosovarë e shqiptarë të cilët mbajnë akoma të fshehur kulisat për copëtimin e Kosovës.

Nga dje Kosova ka një qeveri të re. Kabineti i ri qeveritar i drejtuar nga Albin Kurti u votua me 66 vota pro dhe 10 abstenim duke marrë kështu mandatin për 4 vitet e ardhshme. Koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës arriti të bjerë dakord për një marrëveshje bashkëqeverisje 4 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve që u dhanë atyre fitoren. Kabineti i Albin Kurti ka 15 ministri, ku gjashtë do të drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje, 6 nga LDK-ja dhe tre të tjerat nga partitë e minoritetit. Përfaqësuesja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila gjatë zgjedhjeve kandidoi për postin e kryeministres, në bazës të marrëveshjes mes dy partive fituese u zgjodh dje Kryetare e Kuvendit të Kosovës. Pjesë e paktit politik mes dy partive është dhe emri i Presidentit, pas mbarimit të mandatit të Hashim Thaçit, por për momentin Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk kanë dhënë detaje për këtë proces. Votimi i qeverisë së re në Kosovë i jep fund periudhës së gjatë dhe të lodhshme të negociatave mes VV dhe LDK-së. Më në fund, Albin Kurti dhe Isa Mustafa kanë arritur të gjejnë pikat e përbashkëta dhe të shmangin krizën politike e zgjedhjet e parakohshme që ishin në prag. Pjesë të rëndësishme në këtë pakt politik pati dhe partia e Behgjet Pacolit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Dy deputetët e AKR votuan pro qeverisë duke i dhënë mbështetje më të gjerë sesa vetëm votat e VV dhe LDK-së. Zgjedhja e Albin Kurti si kryeministër hap një epokë të re në politikën e Kosovës. Albin Kurti është kryeministri i shtatë i Kosovës, që nga mbarimi i luftës, në vitin 1999.

Rrugëtimi i tij politik është krejt i ndryshëm nga ajo e politikanëve të tjerë të Kosovës, që kanë ardhur nga lufta ose nga estbilishmenti politik i vjetër i Kosovës. Ish-lider i protestave studentore, i burgosur në Serbi e disa herë në Kosovë, opozitar i protestave masive dhe tubimeve me gaz lotsjellës në Parlament është modeli i një politikani jo të zakontë qe vjen në pushtet pas një opozitarizmi të gjatë. Opozita e Vetëvendosjes ka qenë më e ashpra që ka njohur Kosova dhe shpesh herë idetë e kësaj Lëvizje dhe forma e protestave kanë bërë që grupimi politik të cilësohej si i papërshtatshëm për të drejtuar një vend që ka probleme të gjithanshme. Në fushatat elektorale ku ka marrë pjesë Vetëvendosja, Albin Kurti nuk ka premtuar thjesht ndryshimin e qeverisë, por reformimin e gjithë institucioneve dhe gjithë klasës politike në Kosovës. Por sot Albin Kurti është kryeministër, i votuar nga qytetarët e Kosovës dhe që ka mbështetjen e partisë së dytë më të madhe në vend Lidhjes Demokratike të Kosovës. Premtimet që ka dhënë në fushatë, idetë e reja që ka hedhur për zbatim dhe projekti ambicioz për Kosovën tashmë do të vihen në provë. Sfidat që ka përpara Albin Kurti janë edhe më të rënda se ato të kryeministrave të mëparshëm. I duhet jo vetëm të mbajë premtimet përballë qytetarëve të Kosovës për zhvillimin ekonomik, qeverisjen dhe problemet e përditshme, por dhe të zgjidhë çështjen kryesore të shtetit, raportet finale me Serbinë. Kjo e fundit është sfida më e rëndësishme, me të cilën do të përballet që në ditët e para të qëndrimit në zyrë. Albin Kurti ka premtuar se do të rishikojë të gjithë marrëveshjet që janë nënshkruar më herët me Serbinë. Ndërkohë që për fillimin e dialogut do t’i duhet të vendosë shumë shpejt se çfarë do të bëjë me taksën që Ramush Haradinaj vendosi ndaj produkteve serbe. Nga retorika e fortë politike e Vetëvendosjes, shpesh herë e akuzuar edhe si e rrezikshme, tashmë Albin Kurti duhet të kthehet në politiken reale, ku çdo vendim do të ketë kostot e veta. Krijimi i qeverisë së re në Kosovës i jep fund dhe situatës më të paprecedentë në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, deri dje kryeministër i Kosovës, janë në gjyq për çështjen e qëndrimeve lidhur me ndarjen e Kosovës. Padia e turpshme, në dukje personale, ka ndikuar dhe në raportet me dy qeverive këto muaj. Mungesa e qeverisë së Prishtinë dhe samitet rajonale që zhvillon Edi Ramës pa praninë e Kosovës janë skandal kombëtar që me kabinetin “Kurti” do të marrin fund. Kosova ka një kryeministër të ri të ligjshëm dhe shumë qëndrime të saj në zhvillimet e brendshme dhe politikën e jashtme do të ndryshojnë. Albin Kurti, Vjosa Osmani, etj, me hyrjen e tyre në institucione kanë vendosur të nisin një epokë të re në politikën e Kosovës.

Albin Kurti jo vetëm nga natyra e tij personale e krejtësisht parimore e kombëtare në raport me Sërbinë, por edhe si kryeministër tashmë ka shansin të vendos “kufirin te thana” Presidentit serb Vuçiç dhe krejt politikanëve kosovarë dhe shqiptarë të cilët mbajnë të fshehur kulisat për copëtimin e Kosovës./ Q.Xhani/

SHKARKO APP