Petrit Vasili: KÇK-ja, huliganizëm i qeverisë kundër shtetit ligjor!
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili e cilëson projektin e qeverisë të njohur me emrin KÇK, si kërcënimin më të madh që i kanoset demokracisë dhe shtetit ligjor. Në një reagim në Facebook, Vasili argumenton se miratimi i kësaj pakete ligjore rrëzon gjithë reformën në drejtësi dhe i jep pushtet vetëm Edi Ramës dhe njerëzve të tij.
Postimi i plotë i Petrit Vasilit në Facebook:
“ KÇK-ja, huliganizëm i qeverisë kundër shtetit ligjor!
KÇK lindi vetëm nga një nevoje dhe nga një objektiv: ai i pengimit, i konfuzimit dhe i neutralizimit nga qeveria të zbatimit te ligjeve në fuqi.
Kjo është e qartë si drita e diellit.
Të gjitha ligjet ekzistojnë, janë të plota shteruese dhe përmbajnë të gjithë instrumentet për të vepruar, neutralizuar e dënuar veprimtarinë kriminale duke filluar nga ligji Antimafia, Kodi Penal dhe i Procedurës Penale dhe nga një tufe institucionesh, që kontrollohen nga vetë qeveria, si: Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, SHISH, Departamenti Antikorrupsion në Kryeministri, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, Sektori i Programeve në Fushën e Drejtësisë dhe Antikorrupsionit, Ministrinë e Drejtësisë, Agjencia e Prokurimit Publik, SHÇBA në Ministrinë e Brendshme etj.
Kjo pafundësi strukturash, që varen nga vetë qeveria janë kapur prej saj dhe kryejnë të kundërtën e misionit të tyre, pra nuk zbulojnë dhe nuk luftojnë veprimtarinë kriminale, por përkundrazi me veprimet dhe mosveprimet e tyre e stimulojnë dhe mbështesin në funksion të mbajtjes së pushtetit të rilindjes dhe Edi Ramës.
Rrëmbimi policor nga qeveria e pushtetit të Gjykatave është një strategji kriminale për të shtuar konfuzionin, për t’i dhënë kohë krimit që të humbe gjurmët, që të organizohet, të informohet për të mos u dëmtuar, por për të vazhduar edhe më i fortë të qeverisë përmes të telekomanduarve prej tij në qeverinë e rilindjes.
KÇK-ja asgjëson plotësisht çdo objektiv që reforma në drejtësi kishte për një drejtësi të pavarur dhe të pakapur nga qeveria dhe që do të luftonte me eficiencë të plote krimin, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të pista, ku qeveria vetë është zhytyr kokë e këmbë dhe për të cilat ndodhet nën akuzë botërisht, sepse e ktheu Shqipërinë, sipas DASH, në bazëte krimit të organizuar për Europen, SHBA, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme si dhe e shndërroi Shqipërinë ndër tre vendet më të korruptuara të botës, sipas Bankës Botërore.
SPAK dhe BKH u krijuan nga reforma në drejtësi për të hetuar e dënuar shumë fort dhe në mënyrë të pavarur krimin dhe korrupsionin. Kontrolli policor nga po ajo qeveri dhe polici, që lejuan kthimin e Shqipërisë në Narko Shtet është asgjësimi real i shtetit të së drejtës dhe praktikisht është si t’i varësh melçitë ujkut në qafë.
Qeveria dhe Policia e dosjeve 184 dhe 339 dhe e bandës kriminale të kryebashkiakëve të 30 qershorit do të luftoka krimin përmes KÇK.
Ky është fundi i Reformës në Drejtësi. Kushtetuta e 21-22 korrikut dhe shtatë ligjet e reformës në drejtësi u dhunuan e u zhbënë me këtë Akt Normativ huliganizmi qeveritar të pashembullt, antikushtetues dhe antiligjor. Çdo qytetar i Shqipërisë duhet ta dijë shumë qartë se nuk mungon asnjë ligj për të luftuar kriminelët dhe veprimtarinë e tyre. Çdo qytetar duhet ta dijë mirë se kriminelet, që blenë votat për rilindjen, që ajo të rrije në pushtet, kërkojnë sot mbështetje dhe KÇK-ja është dhurata e qeverise për ta.
KÇK është asgjësimi i reformës në drejtësi dhe i ndarjes së pushteteve, si themel i demokracisë dhe i shtetit ligjor. KÇK-ja ka për mision poshtërimin, neutralizimin dhe nënvleftësimin e institucioneve të reja të drejtësisë sidomos SPAK dhe BKH. Kush mbyll sytë dhe gojën sot përpara këtij huliganizmi qeveritar policor ndaj shtetit të së drejtës në Shqipëri është fajtor njëlloj si huliganët e qeverisë.
SPAK i ka përpara syve shkelësit qeveritarë të Kushtetutës e ligjit dhe shpërdoruesit e dhunshëm të detyrës shtetërore në interes të krimit. SPAK t’i hetojë e t’i dënojë, ç’pret më??”.