Rama kundër SHBA e BE, nuk heq dorë nga KÇK-ja

-Praktikisht me këtë ligj, policia mund të sekuestrojë prona, mund të bllokojë pasuri bankare, të përgjojë, të arrestojë, dëbojë apo kontrollojw shtepitw pa pasur një vendim gjykate, por vetëm mbi prova apo dyshime që policët i cilësojnë bindëse, sipas tyre. Gjithë këto kompetenca, që as gjykata nuk i ka pa rolin e prokurorisë, Edi Rama ia ka kaluar drejtorit të Policisë dhe një strukture të posaçme të përbërë nga ministrat që emërohen me firmën e tij.

Kryeministri Edi Rama, pavarësisht kritikave të forta, ka vendosur të vërë në zbatim aktin normativ Anti-KÇK (Kap ç’a t’kapësh). Në një video të publikuar në Facebook, ku shfaqen disa punonjës policie me maska duke bërë pompa, kryeministri thotë se Njësia Speciale e Policisë do të nis të hënën punë në zbatim të ligjit special që u miratua dy ditë më parë. Me termin ligj special kryeministri nënkupton aktin normativ AntiKÇK që i jep Policisë së Shtetit funksionet e prokurorisë dhe gjykatës, në shkelje të gjithë ligjeve të vendit. Ligji dublon funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK dhe BKH duke e kaluar procedurën e hetimit jo në dorë të prokurorëve, por në drejtuesve të policisë dhe ministrave të qeverisë së Edi Ramës.

Nisma ligjore që nga PS po cilësohet si “revolucion” i jep të drejtë Policisë së Shtetit që të kërkojë dhe sekuestrojë çdo dokumentacion ligjor apo bankar nga çdo institucion privat dhe shtetëror, kur ka dyshime për veprimtari kriminale dhe terrorizëm. Ligji prek gjithë funksionet e prokurorisë, pasi nuk flet më për “procedim hetimor” që kryhet nga prokurorët, por për “procedim policor” duke ja kaluar hetimin agjentëve të policisë duke përfshirë, në raste të veçanta edhe përgjimet elektronike. Praktikisht me këtë ligj, policia mund të sekuestrojë prona, mund të bllokojë pasuri bankare, të përgjojë, të arrestojë, dëbojë pa pasur një vendim gjykate, por vetëm mbi prova apo dyshime që policët i cilësojnë bindëse, sipas tyre. Gjithë këto kompetenca që as gjykata nuk i ka pa rolin e prokurorisë, Edi Rama ja ka kaluar drejtorit të Policisë dhe një strukture të posaçme të përbërë nga ministrat që emërohen me firmën e tij.

Paketa ligjore ka dhe një sërë problemesh Kushtetuese, pasi bie ndesh me akte të tjera juridike dhe institucione që hetojnë krimin e organizuar dhe veprat e tjera penale. Nisma e Edi Ramës është kritikuar këto ditë ashpër nga partitë e opozitës, organizata të shoqërisë civile dhe juristë të pavarur. Përveçse shkel Kushtetutën me këtë nismë, Edi Rama ka nxjerrë jashtë loje dhe institucionet e reformës në drejtësi, të cilat u ngritën pikërisht për të hetuar krimet e rënda dhe korrupsionin. Përveç kundërvënie ndaj Kushtetutës, gjë e cila nuk është e re nga ana e Rilindjes, kjo nismë është dhe një qëndrim i hapur i Edi Ramës kundër ndërkombëtarëve. Para miratimit të paketës KÇK kryeministri deklaroi se draftin e kishte konsultuar dhe miratuar në bashkëpunim me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE. Madje, pak orë para votimit priti në zyrë ambasadoren e re të SHBA, Yuri Kim dhe e shiti në publik takimin si një dakordësi të SHBA për projektin e tij AntiKÇK. Duke përdor SHBA dhe BE për të justifikuar një projekt anti ligjor, Edi Rama synonte që të bindte opinionin se nisma e tij është me firmën e amerikanëve. Por këtë herë mashtrimi me gjasme mbështetjen e ndërkombëtare nuk ka zgjatur shumë. Dy ambasadat kryesore kanë mohuar të kenë dhënë miratimin për këtë paketë ligjore duke deklaruar se as nuk e kanë lexuar. Deklarata se “nuk e kanë lexuar” është një formë diplomatike për t’i thënë Edi Ramës se ka mashtruar kur deklaron se ka përkrahjen e tyre për këtë projekt. Sinjali ishte i qartë, ndërkombëtarët nuk lejojnë më të përdoren nga qeveria “Rama” për të justifikuar projekte problematike ligjore. Ndërkohë kreu i qeverisë dhe rilindja duken të vendosur t’i shkojnë deri në fund marrëzisë me krijimin e një strukture policore që del mbi gjykatat. Por këtë herë nuk ka kundër vetëm opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile, por në parim edhe ndërkombëtarët, të cilët nuk e ndjekin më Ramën në lojën e tij.

M.Xhani

SHKARKO APP