VIDEOLAJM/ Xhevdet Ferri, ikja e një legjende
Ikona e kinematografisë shqiptare, Xhevdet Ferri nuk është më në mesin tonë. Arti dhe kinematografia kanë humbur një ndër aktorët më të mirë dhe më të dashur për publikun. Aktori i njohur prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ditët e fundit ka qenë i shtruar në reanimacion, por nuk mundi t’ia dalë.
Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960 në qytetin e Durrësit. Ai ishte bashkëshorti i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit” etj.
Ai ka interpretuar në dhjetëra role në kinematografi e teatër, por suksesin me te madh si aktor e ka arritur në filmin artistik. Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i Trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara”, në krah të madhit, Robert Ndrenika.
Filmin e tij të parë e ka realizuar që kur ishte ende student. Në vitin 1982 diplomohet në Akademinë e Arteve dega e dramës dhe më pas vijon punën si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në këtë Akademi. Më vonë vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie.
Thuajse në të gjithë filmat ka qenë në rolin e protagonistit. Debutimin e parë e ka realizuar në vitin 1980 në filmin “Sketerrë ’43”, me personazhin e Arjanit dhe po atë vit në filmin “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos. 5 vjet më vonë ai u bë i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”.
Role të tjera të spikatura për aktorin Xhevdet Ferri janë edhe Pali në “Besa e kuqe”, Sandri ne “Vendimi” Martini ne “Treni niset ne 7 pa pese” (1988); Gjon Kadri në “Vitet e pritjes” (1990). Me rolin e Sakos në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arrin sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit. Filmi më i fundit ku ka interpretuar, ishte “Delegacioni” i Bujar Alimanit.