“Zëri Amerikës” dhe “DW” shkruajnë për padinë e kryeministrit shqiptar ndaj kryeministrit kosovar

Nga “Zëri Amerikës”/

“Betimi për drejtësi” një emision i përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, raportoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ushtruar padi ndaj kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, me pretendimet se ka shpifur ndaj tij, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit të shkaktuar.

Në padinë e kryeministrit Rama, të cilën “Betimi për Drejtësi” pohon se e ka parë dhe e cila ka mbi 30 faqe, thuhet “Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Në padi thuhet se deklaratat janë bërë në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që, në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të jetë thënë në tekstin e padisë.

Mes tjerash aty thuhet se kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Duke ju referuar disa deklaratave të zotit Haradinaj në të cilat është përmendur kryeministri Rama në tekstin e padisë theksohet se “kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës[1], dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë. Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike”, thuhet mes tjerash.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetin facebook të mërkruën vonë se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama.

Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, thuhet në postimin e zotit Haradinaj.

Marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave u përkeqësuan në pranverën e vitit të kaluar pas takimit të Berlinit më 30 prill të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron që mblodhën udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane, ndikimet e jashtme në rajon, por, në qendër të diskutimeve, ishte çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas atij takimi kryeministri Haradinaj tha se është përballur me trysni nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe të vendosura në nëntor të vitit 2018 që cuan në pezullimin e bisedimeve me Serbinë.

Kryeministri Rama tha atëbotë se nuk i ka bërë trysni zotit Haradinaj për heqjen e tarifave por i ka sugjeruar të dëgjojë kancelaren Merkel dhe presidentin Macron që kane kërkuar nga Haradinaj që taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qofte, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vete”.

Polemikë në distancë ndërmjet kryeministrave Rama e Haradinaj

Zoti Haradinaj tha më pas se “ekziston një dyshim i bazuar, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar lidhur me ndarjen e Kosovës dhe se ato diskutime janë bërë nën udhëheqjen e Shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Polemikat në distancë ndërmjet kryeministrave janë përsëritur disa herë gjatë vitit të kaluar.

DW: Edi Rama padit Ramush Haradinajn për “shpifje”

Reagoi kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj pas padisë së kryeministrit, Rama. Ai tha, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatisë një përgjigje në padi.

    
OSCE Edi Rama (AFP/V. Simicek)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka paditur kryeministrin e Kosovës në largim Ramush Haradinaj, për “shpifje”. Padinë e publikoi “Betimi për drejtësi”, një emision që përgatitet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku thuhet se Rama padinë e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në padinë 30 faqëshe të publikuar nga “Betimi për Drejtësi” pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuar,a në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksander Vuciq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Betimi për drejtësi.

“Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Haradinaj: Padia e pabazuar

Në padi më tej thuhet, se deklaratat e Haradinajt janë bërë në kuadër të debateve rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar, se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të ketë thënë Edi Rama në tekstin e padisë. E sipas Edi Ramës, “Ramush Haradinaj është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete, të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme, sipas së cilës “kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Ramush Haradinaj spricht auf der West-Balkankonferenz in Österreich (picture-alliance/AA/A. Kiyagan)

Kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj nga ana e tij, shkroi në rrjetin social facebook, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatis një përgjigje në padi. “Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore. Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shkroi në postimin e tij Ramush Haradinaj.

Kush duhet të provojë vërtetësinë e akuzave?

Njohësi i çështjeve juridike, Dastid Pallaska vëren specifikat ligjore lidhur me padinë e Ramës kundër Haradinajt. “Sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, për t’u liruar nga përgjegjësia ligjore për shpifje dhe/apo fyerje, i padituri ka barrën e provës për të vërtetuar se deklarata e tij/saj është e vërtetë”, shkruan Pallaska në profilin e tij social.

Por sipas ekspertit “ky rregull ka një përjashtim të rëndësishëm në rastet, kur objekt i kërkesë-padisë për shpifje dhe/apo fyerje është një çështje e interesit publik që si paditës përfshin persona që mbajnë funksione publike. Në këto raste, barra e provës për vërtetimin se deklarata përkatëse është shpifëse dhe/apo fyese kalon tek paditësi. Për më shumë, i padituri në këto raste mund të mbahet përgjegjës vetëm nëse e ka ditur që deklarata e tij/saj është shpifëse dhe/apo fyese dhe ka vepruar me mospërfillje të pamatur ndaj të vërtetës”, thekson, Dastid Pallaska. Sipas tij, kjo do të thotë se, “po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht, Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është “tradhtar”, shkroi Dastid Pallska.

Raportet ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës në largim Ramush Haradinaj,  nuk janë të mira që nga koha e mbajtjes së Samitit të Berlinit të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Në atë takim ku u diskutua për raportet e Ballkanit Perëndimor me theks të veçantë raportet Kosovë-Serbi, Ramush Haradinaj tha se është përballur me presion të madh nga Edi Rama për heqjen e taksës 100% për produktet e Serbisë të vënë nga qeveria e Kosovës. Edi Rama e pati mohuar këtë deklaratë të Haradinajt.

 

SHKARKO APP