
Investime të reja në arsim, infrastrukturë rrugore, çerdhe, hapësira publike dhe fasada janë në fokus të projekteve të Bashkisë së Elbasanit për Rajonin nr. 2. Prioritetet u diskutuan me banorët në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e palestrës së rikonstruktuar të shkollës “Onufri”.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se investimet në infrastrukturën arsimore do të vijojnë, duke paralajmëruar ndërhyrje të reja në institucionet arsimore të këtij rajoni. Ndër projektet e parashikuara është rikonstruksioni i shkollës “Vasil Kamami”, gjimnazit që i shërben komunitetit të Rajonit nr. 2.
Një tjetër investim i rëndësishëm për zonën është nisja e punimeve për Çerdhen nr. 6, e cila do të ndërtohet në Qendrën Balashe dhe do t’u shërbejë banorëve të një zone periferike të Rajonit nr. 2, por edhe komunitetit të Rajonit nr. 3, në zonën e lagjes “Skënderbej”.
Në fushën e shërbimeve dhe hapësirave komunitare, kryebashkiaku bëri të ditur se së shpejti do të inaugurohet edhe parku më i madh në Elbasan, “Dua të Luaj”, duke shtuar një tjetër hapësirë të dedikuar për fëmijët e qytetarët.
Në fokus janë edhe ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore. Sipas Llatjas, kanë nisur procedurat dhe janë marrë lejet e ndërtimit për sheshin e pallateve nga kryqëzimi i Cërrikut deri te stacioni i trenit, ndërsa së shpejti pritet të nisin punimet edhe në sheshet e pallateve të Rajonit nr. 2.
Një projekt i rëndësishëm është edhe ndërhyrja në kryqëzimin e Cërrikut, për të cilin është përgatitur projekti që do të hidhet për konsultim publik. Kryqëzimi do të transformohet në një rrethrrotullim, i projektuar për të përballuar qarkullimin e rreth 35 mijë automjeteve në ditë, duke synuar lehtësimin e trafikut, përmirësimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe krijimin e një lidhjeje më të mirë të lagjeve me njëra-tjetrën dhe me qendrën e qytetit.
Paralelisht, do të vijojnë edhe projektet për përmirësimin e fasadave dhe ndërhyrjet në infrastrukturën urbane në zona të ndryshme të Elbasanit.
