Një grup prindërish shqiptarë të cilët e cilësojnë veten të pavarur nga partitë politike, kanë ndërmarrë një nismë përmes një peticioni drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë ndryshime në drejtimin e vendit dhe përgjegjësi politike për skandalet e denoncuara në institucionet shtetërore.
Nismëtarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, si dhe largimin e ministrit të Brendshëm, duke argumentuar se drejtuesit e lartë të qeverisë duhet të mbajnë përgjegjësi për çështjet e korrupsionit që, sipas tyre, kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe institucione shtetërore.
Në peticion, kërkesa për dorëheqjen e Ramës lidhet me përgjegjësinë e tij politike për skandalet që kanë prekur përfaqësues të qeverisë. Ndërsa për ministrin e Brendshëm, prindërit ngrenë shqetësime lidhur me veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe rastet e dhunës ndaj protestuesve, për të cilat kërkojnë përgjegjësi në nivel drejtues.
Përveç largimit të dy zyrtarëve, peticioni përfshin edhe propozimin për krijimin e një qeverie tranzicioni, me mandat të përcaktuar dhe të kufizuar. Përmes kësaj nisme, prindërit synojnë të kërkojnë llogaridhënie nga drejtuesit politikë dhe ndryshime në mënyrën e drejtimit të institucioneve, duke theksuar se qëndrimi i tyre nuk lidhet me përkatësi partiake.
