Kryeministri Edi Rama pritet të përmbyllë sot mbledhjen dyditore me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Pogradec. Gjatë ditës së dytë, ministrat kanë vijuar prezantimin e punës së bërë dhe objektivave për vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës. Raportimet janë fokusuar te arritjet, sfidat dhe prioritetet e secilës fushë.
Rama ka mbajtur deri tani një qëndrim më të rezervuar gjatë diskutimeve. Ndërhyrjet e tij janë përqendruar te nevoja për rifreskimin e administratës publike, më shumë përulësi në qeverisje, rëndësia e Besës dhe Pranisë Besnike, si edhe mënyra se si Partia Socialiste prezantohet në media.
Pas dy ditësh diskutimesh dhe raportimesh, në orën 17:00 pritet që kryeministri Rama të mbajë fjalën përmbyllëse, duke bërë një përmbledhje të konkluzioneve dhe prioriteteve që do të shoqërojnë qeverinë gjatë vitit të dytë të mandatit.
