Dje kishte përplasje në parlament. Ishte jashtë etikës dhe normave parlamentare, por ka ndodhur. Kështu është vepruar edhe nga deputetët e majtë, dikur, bile me grushta.
Ndërkohë Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën u mblodh sot në orën 09:00 për të shqyrtuar kërkesën e PS-së për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës. Lëvizja e maxhorancës, synon të përjashtojë deputetët e opozitës nga punimet e kuvendit, me fuqinë e kartonëve. Pjesë e këtyre punimeve, nga të cilat maxhoranca kërkon përjashtimin e opozitës është dhe mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Legjislacionit, ku do të diskutohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit ndaj Ballukut, që i hap rrugë arrestimit të saj.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura dhe të sillen prova.
“ Do të duhet që mbledhja të jetë e hapur. Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike” tha deputeti i PD-së Saimir Korreshi.
Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi tha se secili prej deputetëve që ka firmosur duhet të tregohet i përgjegjshëm. Prandaj propozoi që mbledhja të shtyhet për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat.
Por kjo që ndodh nga mazhoranca nuk është e drejtë, pra 29 deputetë të PD t’i përjashtosh për disa javë.
Nuk mundet kështu!
Natyrisht që dy apo tre më aktivët e rremujës, dakort, por jo 29 deputetë!
