Kalo te përmbajtja
Koha Jone Logo
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Shqip
  • English
Lexo në app
  • Shqip
  • English
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Lajme
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Forum
  • WebTV
  • Editorial
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Teknologji
  • Intervista
  • Kronikë
  • Turizëm
  • Sociale
  • Historiku
Lajmet e fundit

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by

Opsionet e pamjes

Pamje shembull E mërkurë, 21 Tetor 2026, 22:59 Champions/ Paqe mes Bayernit dhe Arsenalit, Interi fiton me vuajtje, Reali bën detyrën Champions League ka dhuruar emocione dhe gola në ndeshjet e mbrëmjes, me Real Madridin që triumfoi 4-1 ndaj Leipzigut, ndërsa Bayern Munich dhe Arsenali…
Pamja e bardhë/e zezë
Madhësia e tekstit
  • Në trend
  • Protesta e studentëve
  • Dialogu me Ramën
  • Policët dhe protestuesit
  • Capital T
  • Champions League
  • Ndryshime në qeveri
  • Shpërblimi i policëve
  • BE dhe Ballkani
Lajmet e fundit
Në trend
  • Protesta e studentëve
  • Dialogu me Ramën
  • Policët dhe protestuesit
  • Capital T
  • Champions League
  • Ndryshime në qeveri
  • Shpërblimi i policëve
  • BE dhe Ballkani
KOHA JONË Lajmet e fundit, gjithmonë me ju
Instalo

Robert Burns, nga shpirtrat e rrallë që i kujtojnë botës se letërsia lind aty ku njeriu guxon të mbetet i vërtetë

Kultura E martë, 21 Korrik 2026 09:17
Robert Burns, nga shpirtrat e rrallë që i kujtojnë botës se letërsia lind aty ku njeriu guxon të mbetet i vërtetë
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Nga Albert Vataj
Në galerinë e madhe të poetëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë botërore, Robert Burns qëndron si një figurë e rrallë, ku madhështia nuk buron nga oborret mbretërore, por nga toka e punuar me duar, nga era që përkund arat e grurit, nga kënga e thjeshtë e fshatarit dhe nga zemra e lirë e një njeriu që nuk pranoi të ndahej kurrë nga populli i tij. Ai nuk ishte vetëm poeti kombëtar i Skocisë; ai ishte zëri që e ngriti gjuhën e zakonshme në lartësinë e artit, që e shndërroi këngën popullore në poezi universale dhe jetën e përditshme në një testament të dinjitetit njerëzor.

Reklamo në Koha Jonë
Reklamo në Koha Jonë

Në horizontin e madh të poezisë, ku zërat shuhen e të tjerë ngrihen si furtuna të shpirtit, Burns nuk mbetet thjesht një emër, por një vegim i papërsëritshëm që e ktheu këngën e fshatit në himn të përjetësisë. Në vargjet e tij dëgjohet rrahja e zemrës së Skocisë, por edhe ritmi i përhershëm i njeriut që kërkon dashuri, liri, drejtësi dhe dinjitet. Ai e bëri natyrën të flasë me gjuhën e njerëzve dhe njerëzit me gjuhën e natyrës, duke krijuar një poezi ku era, bari, lumi, bilbili dhe zemra njerëzore marrin frymë në të njëjtin univers.
Robert Burns lindi më 25 janar 1759, në Alloway të Ayrshire-it, në një familje fermerësh qiramarrës. Fëmijëria e tij nuk njohu privilegje. Ajo u kalit mes tokës së rëndë, punës së lodhshme dhe përpjekjes së përditshme për mbijetesë. Babai i tij, William Burnes, megjithëse njeri me mundësi të kufizuara, besonte se arsimi ishte trashëgimia më e vyer që mund t’u linte fëmijëve. Pikërisht në atë shtëpi modeste u hodhën themelet e kulturës së Robertit, i cili u edukua kryesisht në familje dhe shumë herët u njoh me Biblën, letërsinë angleze dhe folklorin skocez.

Mund t'ju interesojë

Al Pacino, aktori legjendar, merr çmimin e karrierës nga SAG-AFTRA

Al Pacino, aktori legjendar, merr çmimin e karrierës nga SAG-AFTRA

16 Tetor 2026, 10:15
“Britannica”: Shqipëria ndër shekuj, nga e kaluara e trazuar te perspektiva evropiane

“Britannica”: Shqipëria ndër shekuj, nga e kaluara e trazuar te perspektiva evropiane

13 Tetor 2026, 10:25
“Akullthyesit” pushtojnë skenën e “Skampës”, Elbasani mirëpret grupin që bëri jehonë ndër vite

“Akullthyesit” pushtojnë skenën e “Skampës”, Elbasani mirëpret grupin që bëri jehonë nd...

12 Tetor 2026, 11:44

Në moshën dymbëdhjetëvjeçare ai punonte tashmë në fermë. Puna e rëndë thuhet se i dëmtoi përgjithmonë shëndetin, por nuk arriti t’i rëndonte shpirtin. Përkundrazi, pikërisht aty ai mësoi të dëgjonte muzikën e jetës së zakonshme, atë melodi që më vonë do të bëhej frymëzimi i gjithë krijimtarisë së tij.
Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare shkroi poezinë e parë, “E bukura Nelli”, frymëzuar nga një vajzë ferme me të cilën punonte. Ai vetë do të pranonte se nuk u bë poet sepse kërkonte lavdinë; poezia lindi si një përgjigje e natyrshme ndaj dashurisë. “Dashuria dhe poezia”, shkruante ai, “janë binjake.” Që nga ai çast, pothuajse çdo ndjenjë e fortë, çdo takim, çdo buzëqeshje apo zhgënjim u kthye në varg.
Megjithëse krijimtaria e hershme mbështetej kryesisht mbi ndjenjën e dashurisë dhe hijeshinë e vajzave të reja që njihte, universi poetik i Burns u zgjerua me shpejtësi. Ai nuk mbeti peng i lirizmit sentimental. Në poezitë dhe këngët e tij hynë jeta e fermës, zakonet popullore, puna, festat, varfëria, krenaria e njerëzve të zakonshëm, dallimet klasore, hipokrizia fetare dhe aspirata për liri. Ai u bë kronikani poetik i Skocisë së shekullit XVIII, duke i dhënë zë një bote që letërsia e kohës rrallë e shihte me respekt.

Swiss DigitalReklamo në Koha Jonë

Burns e nisi rrugën si poet vendas. Ai shkruante për njerëzit që njihte, për bashkëfshatarët, për miqtë dhe fqinjët e tij. Poezia e tij kërkonte reagim të menjëhershëm, ashtu si kënga popullore që këndohej në odë apo pranë zjarrit. Pikërisht ky komunikim i drejtpërdrejtë i dha krijimtarisë së tij atë freski bisedore që edhe sot mbetet një nga tiparet më të dashura të artit të tij.
Ai nuk kërkoi kurrë të kurorëzohej si bard kombëtar. Megjithatë, dëshira për të qenë “një bard skocez” ishte e shprehur hapur në vetëdijen e tij krijuese. Nuk ishte titulli që e tërhiqte, por misioni. Dhe historia ia dha atë kurorë pa ia vendosur askush mbi kokë. Populli e njohu si poetin e vet, sepse ai fliste me gjuhën e tij, qeshte me humorin e tij, vuante plagët e tij dhe ëndërronte ëndrrat e tij.
Në shumë mënyra, Burns përfaqëson kulmin e traditës letrare skoceze. Pas tij, letërsia e shkruar në gjuhën popullore skoceze nuk do të arrinte më të njëjtën madhështi. Ai ishte trashëgimtari i një vije të gjatë krijuesish që niste me makarët mesjetarë, me Robert Henryson dhe William Dunbar, vazhdonte me Allan Ramsay, Robert Fergusson dhe shumë autorë të tjerë të traditës skoceze. Burns ishte pika ku kjo traditë arriti shkëlqimin më të madh dhe, njëherazi, fundin e një epoke. Gjuha skoceze që ai përdorte me aq mjeshtëri po humbiste terren përballë anglishtes, por ai arriti t’i jepte asaj një pavdekësi artistike.
Për këtë arsye ai konsiderohet shpesh një poet pararomantik. Ndjeshmëria ndaj natyrës, besimi tek forca e emocioneve, individualizmi, adhurimi për folklorin dhe këngët popullore, si edhe qëndrimi i tij kritik ndaj autoritetit dhe dogmës, e lidhin natyrshëm me romantizmin evropian. Poetët romantikë e panë Burns si një pararendës të tyre; vizituan vendet ku ai kishte jetuar, shkruan për të dhe e pranuan si një frymëzim të madh.

Megjithatë, Burns nuk ishte produkt i romantizmit. Ai ishte, mbi të gjitha, bir i Skocisë së shekullit XVIII. Përvoja e tij si fermer, prejardhja modeste dhe njohja e drejtpërdrejtë me vuajtjet e njerëzve e bënë një zëdhënës të natyrshëm të shtresave të zakonshme. Në letrat, poezitë dhe këngët e tij ai ngriti vazhdimisht çështjen e pabarazisë shoqërore, të drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Këto ideale nuk shfaqen si slogane politike, por si nevoja më të thella të shpirtit njerëzor.
Burns ishte po aq i njohur për pasionet e tij sa edhe për vargjet. Dashuritë e shumta, temperamenti i zjarrtë dhe kundërshtimi ndaj moralizmit të ngurtë fetar e kthyen në një figurë shpesh polemike gjatë jetës. Por pikërisht kjo e bëri edhe më njerëzor. Ai nuk u përpoq kurrë të paraqitej si shenjtor. Ishte njeri me dobësi, me gabime, me pasione të forta, dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye poezia e tij vazhdon të tingëllojë aq e vërtetë.
Edhe pse krijimtaria e tij qëndron disi jashtë rrjedhës kryesore të letërsisë angleze të shekullit XVIII dhe nuk përshtatet plotësisht as me romantizmin, ndikimi i Burns ka qenë jashtëzakonisht i gjerë. Përkthimet e shumta e kanë çuar zërin e tij në çdo kontinent. Në vende si Rusia dhe Kina ai u lexua me një entuziazëm të rrallë, sepse vargjet e tij flisnin për njeriun e zakonshëm, për drejtësinë shoqërore dhe për dinjitetin universal. Gjuha e tij mund të jetë skoceze, por zemra e saj është njerëzore.
Këngët e tij vazhdojnë të këndohen edhe sot. “Auld Lang Syne”, e bërë simbol i ndarjeve dhe i fillimeve të reja në mbarë botën, dëshmon më mirë se çdo analizë kritike se sa larg mund të udhëtojë një poezi kur lind nga sinqeriteti.

Më 21 korrik 1796, në moshën vetëm tridhjetë e shtatë vjeç, Robert Burns u nda nga jeta në Dumfries, i mundur nga sëmundja e zemrës. Fillimisht u varros në oborrin e kishës së Shën Michaelit, ndërsa në vitin 1817 eshtrat e tij u vendosën në mauzoleumin e ngritur për nder të tij, aty ku mijëra admirues vazhdojnë të përulen para kujtimit të poetit.
Por Burns nuk u varros kurrë në heshtje. Ai mbeti gjallë në çdo këngë që flet për miqësinë, në çdo varg që mbron lirinë, në çdo zemër që beson se njeriu vlen më shumë se titujt, pasuria apo pushteti. Ai dëshmoi se një bujk mund të bëhet zëri i një kombi dhe se një poet, edhe kur shkruan për një livadh të vogël apo për një lule të egër, mund t’i flasë gjithë njerëzimit.
Prandaj Robert Burns nuk është vetëm poeti i Skocisë. Ai është një nga ata shpirtra të rrallë që i kujtojnë botës se letërsia lind aty ku njeriu guxon të mbetet i vërtetë. Dhe për sa kohë do të ketë njerëz që do të këndojnë për dashurinë, lirinë, natyrën dhe dinjitetin njerëzor, zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohet, si era që fryn mbi kodrat e Ayrshire-it, e lirë, e papërkulur dhe e pavdekshme.

Etiketat e lidhura

albert vatajRobert Burns
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Më të fundit

Champions/ Paqe mes Bayernit dhe Arsenalit, Interi fiton me vuajtje, Reali bën detyrën
Para 7 orësh

Champions/ Paqe mes Bayernit dhe Arsenalit, Interi fiton me vuajtje, Reali bën detyrën

Zv.ministrja e Mbrojtjes: Normale të ketë pakënaqësi, por zgjidhja bëhet përmes dialogut
Para 8 orësh

Zv.ministrja e Mbrojtjes: Normale të ketë pakënaqësi, por zgjidhja bëhet përmes dialogut

Koncensionet dhe partneritetet publike-private do të aksesohen online, krijohet regjistri elektronik
Para 8 orësh

Koncensionet dhe partneritetet publike-private do të aksesohen online, krijohet regjistri elektronik

2500 euro shpërblim, qeveria shton numrin e policëve që do të përfitojnë
Para 8 orësh

2500 euro shpërblim, qeveria shton numrin e policëve që do të përfitojnë

Më të lexuarat

1 I riu kërkoi ta takonte, Rama e pret: Një vizitor i veçantë pa gurë në xhep, po me zemrën në vendin e duhur
Para 12 orësh

I riu kërkoi ta takonte, Rama e pret: Një vizitor i veçantë pa gurë në xhep, po me zemrën në vendin e ...

2 Dritan Goxhaj në ”Koha Jonë-Debat” zbulon skenarin: Rama ikën, Presidenti zgjedh kryeministrin e ri
Para 10 orësh

Dritan Goxhaj në ”Koha Jonë-Debat” zbulon skenarin: Rama ikën, Presidenti zgjedh kryeministrin e ri

3
Para 12 orësh

4 Rudina Hajdari sfidon studentët: Uluni përballë Ramës, ai nuk ka si të mbrohet. Dikush tjetër do të negociojë në kurrizin tuaj
Para 12 orësh

Rudina Hajdari sfidon studentët: Uluni përballë Ramës, ai nuk ka si të mbrohet. Dikush tjetër do të ne...

Koha Jone Logo

E përditshme, e pavarur

  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Showbiz
  • Politikë
  • Forum
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Editorial
  • Kronikë
  • Teknologji
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Sociale
  • Reklamo në Koha Jonë
  • Kontakt
  • Privacy Policy
Download on the App Store Get it on Google Play

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by
  • BOTUES & DREJTOR: Nikoll LESI
  • KRYEREDAKTOR: Daniel MUÇAKU
  • ZV/KRYEREDAKTOR: Redjon SHTYLLA
  • BORDI: Elsa KAMBERI, KRYETARE
  • NIPT: J71425013C

© 2026 KOHA JONE. All rights reserved.