
Bayern Munich ka marrë një lajm jo të mirë në një moment delikat të sezonit, pasi do të duhet të bëjë pa shërbimet e Konrad Laimer për një periudhë të konsiderueshme. Klubi bavarez konfirmoi se mbrojtësi austriak ka pësuar një dëmtim serioz muskulor në pulpën e majtë gjatë fitores 3-1 ndaj Këlnit në Bundesligë.
Pas ekzaminimeve mjekësore të kryera nga stafi i Bayern, u vërtetua këputja muskulore, çka do ta mbajë Laimer jashtë fushave për disa javë. Lojtari është një element shumë i rëndësishëm për skuadrën, falë fleksibilitetit të tij, pasi mund të aktivizohet si mbrojtës i djathtë, i majtë apo edhe si mesfushor.
Në gjysmën e parë të sezonit, Laimer ka regjistruar 26 ndeshje në të gjitha kompeticionet, 22 prej tyre si titullar, duke kontribuar me dy gola dhe tetë asistime. Mungesa e tij përbën një goditje për trajnerin Vincent Kompany, i cili humbet një nga lojtarët më konstantë të këtij sezoni shumë pozitiv për bavarezët.
