Artur Zheji: Rama nën efektin e marrëzisë së madhështisë, e shndërron protestën në kryengritje!
Nga Artur ZHEJI
Nuk ka si ndodh ndryshe, protesta, mbasi nënshtroi Ministrinë e Arsimit që shkëlqen tanimë me heshtje, vërshoi në Kuvendin e Shqipërisë plot shpresa, që u mbyll me fjalimin e liderit suprem dhe duartrokitjet e oborrtarëve.
Ai s’po kupton ende se çfarë po ndodh: Studentët kanë vrarë frikën dhe pasigurinë e shqiptarëve nga policia, shteti dhe persekutimi.
Deri dje, studentët kërkonin ndryshimin e kushteve të tyre ekonomike dhe një refleksion për të shfuqizuar Ligjin për arsimin e lartë dhe pasojat e tija goditëse të natyrës neo-liberale.
Sot studentët janë shndërruar në popull dhe kjo mishelë shpërthyese, është duke u shndërruar në një lëvizje Politike, në përmasa kryengritëse, që ka shënjestër qeverisjen e tij dhe personin e tij.
Mirëpo kryeministri nuk po e kupton, se fjalët e tija, krejt të ndryshme nga veprat, kanë 6 vite që krijojnë një realitet virtual, sot të thyer e të thërrmuar, si një pasqyrë, që nuk e gënjen dot më “popullin indian” (dikur, 500 vite më parë, kolonizatorët spanjollë në Amerikën e porsazbuluar, të populluar nga indianët, shkëmbenin pluhur floriri me pasqyrat që kishin sjellë nga Spanja).
Tani thirrjet e studentëve janë: “Ejani dhe mblidhuni këtu me ne!”, studentët sot kërkojnë aleatë, prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre, sepse e kuptuan se iluzioni fillestar se do të mund të arrinin një fitore të lehtë dhe të shpejtë, për të përmbushur kërkesat e tyre, morën si përgjigje interpretimet televizive kryeministrore dhe kushtin e panegociueshëm, për dialog dypalësh.
Tanimë, “beteja” e ndërroi sheshin dhe sheshi, është bulevardi përpara kryeministrisë. Kryeministri i marrosur nga marrëzia e madhështisë, këshilluar nga kafka pa kokë, e solli protestën përpara zyrave të principatës së vet, duke u dhënë shkak dhe arsye, të gjithë të pakënaqurve ndaj qeverisë së tij të dështuar, të bëhen njësh me studentët. Tanimë protesta gjithmonë e më shpesh, ka identifikuar te personi, kryeministër, pengesën për realizimin e kërkesave dhe zgjidhjeve të halleve të tyre.
Njeriu që si askush më parë, dinte të shkarkonte baltën e gabimeve të veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij, te Opozita, te gazetarët, te analistët, te të varfërit, te hajdutët e energjisë, apo te hajdutët e vegjël të xhepave e kudo tjetër, sot e futi zjarrin e protestës, në shtëpinë e tij, me duart e tija. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, varrmihësi mjeshtëror i të tjerëve, paraardhës apo partner qofshin, po vetë-varroset politikisht, nga mendjemadhësia dhe marrëzia e pashërueshme që shkakton ajo…