Historia korruptive që fshihet pas rafinerisë së Ballshit

Nga Pano Soko- Në 2008, kur në pushtet ishte PD, ne kishim një uzinë rafinimi nafte që prodhonte naftë për tregun tonë, paguante gjithë taksat, puntorët e detyrimet dhe madje në fund dilte dhe me fitim.
2 vjet para privatizimit ajo realizoi një fitim prej gati 1.6 miliardë lekë të reja. Këto lek shkonin në buxhet.
Me një vendim absurd, korruptiv totalisht, uzina u vendos të privatizohej.
Pse duhet privatizuar një aset që del me fitim? Pse duhet që fitimin që e ndanim të gjithë si shoqëri, t’ja japësh një individi të vetëm?
Publikisht flitej për gjoja një frymë kapitalizmi, anti-shtetërores, por që ishte totalisht propagandë.
Nëse unë si shtet kam një aset që më prodhon 16 milion USD fitim në vit, atë mund ta privatizoj, por vetëm nëse ai privati që do ta marri, do të më garantojë 16 milionë +1 USD të ardhura, mua si shtet.
Në të kundërt nuk duhet të privatizohet, sepse nuk është çështje kapitalizmi e socializmi, është thjesht gomarllik ekonomik…ose korrupsion.
Këta gomerë nuk ishin, kështu që s’ka asnjë arsye, përveç se korrupsionit.
Por e keqja e madhe nuk ishte thjesht kalimi i fitimit. Nëse ai që do ta privatizonte, do ta përdorte si rafineri normale dhe do të përfitonte fitimin që nxirrte rafineria nga puna e saj, kjo do të ishte lule.
E keqja më e madhe ishte që në fakt, rafineria nuk u morr për t’u punuar si rafineri, rafineria u ble vetëm për t’u përdorur si kolateral për të marrë kredi nëpër banka, gjoja për investime në zgjerimin e kapacitetit të rafinerisë apo rritjen e cilësisë së produktit që nxirrte rafineria. Ndërsa në fakt lekët e kredive që përfitoheshin, çoheshin nëpër llogari bankare personale.
E duke e vënë rafinerinë si kolateral, u përfituan qindra milionë Euro kredi, që u çuan nëpër llogari bankare offshore.
Rafineria bashkë me CEZ-in dhe konçesionin e skanimit, ishin historitë më korruptive që e ndëshkuan PD, nga pikëpamja ekonomike.
Kur ishte në opozitë, PS-ja u nduk e u shkul duke ngritur problemin e korrupsionit me privatizimin e rafinerisë. Por kur erdhi në pushtet, thjesht vazhdoi avazin. U ndryshuan thjesht emrat e pronarëve, nga të PD u vendosën të PS. Madje gjërat u përkeqësuan. Sepse përveç borxheve në banka, tashmë rafineria krijoi borxh dhe ndaj shtetit duke mospaguar taksa dhe më e keqja krijoi borxh dhe ndaj puntorëve. Filloi të linte puntorët pa marrë paga, ua jepte me vonesë, një muaj ua jepte, tre muaj s’ua jepte. Dhe kjo është pjesa më e zezë e historisë. Sepse ata punonjës aty, punojnë si qen, rrezikojnë fizikisht jetën, dëmtojnë shëndetin mes kimikateve e tymrave, dhe të mos u japësh pagat… Kjo është kriminale.
Historia e rafinerisë është një histori ku korrupsioni shkakton dhimbje. Çështja është se në gjithë këto vite keq-shfrytëzim, rafineria ka degraduar, është tkurrur. Shumë vende pune janë mbyllur dhe shumë do të mbyllen nëse vazhdohet kështu.
Personalisht, nëse dikur do të kisha diçka në dorë, rafinerinë do ta shtetëzoja direkt. Do të hartoja një plan investimi. Teknologjitë në atë sferë nuk mungojnë. As ofertat. Një rafineri e këtyre përmasave mund ta ndryshojë rrënjësisht situatën dhe teknologjinë me maksimumi 20 milionë USD investim.
Ka dhe më lirë, nëse bën një kërkim të thelluar të tregut. Tregu është plot me ofertë. Kur Nano ishte Kryeministër, në 2004, iu ofrua një kompani kineze për të përmirësuar totalisht teknologjinë e rafinerisë (për të sjellë një rafineri të re) dhe të rriste kapacitetin e shfrytëzimit me 20%, për vetëm 10 milionë USD.
S’kishte vullnet nga qeveria, s’u bë.
20 milionë USD, nëse arrihet rentabiliteti i 2006-ës, rafineria t’i kthen mbrapsht në dy vjet. Është investim i sigurtë.
Do ta ktheja prapë në punë. Do fitoja prapë tregun e brendshëm të diezelit dhe benzinës. (kjo është e lehtë, malli vendas ka çmim më të ulët se ka më pak shpenzime transporti).
Dhe natyrisht që në dy vjet, do të kishim një kompani rentabël, që prodhon diezel dhe benzinë cilësore për tregun, paguan puntorët, paguan taksat dhe prodhon dhe fitim.
Por e rëndēsishme është që do të fillonte prapë puna. Jo thjesht për çështje parash, por edhe për të mbyllur një herë e mirë atë plagë sociale që është hapur në atë qytet.
Ata punonjës aty janë qytetarë, familjarë dhe aset për vendin. S’mund të lihen në mëshirën e dëshirave të korrupsionit.

SHKARKO APP