Haklaj: UNESCO e ka refuzuar kërkesën për festivalin e Gjirokastrës, ministria e Kulturës nuk jep informacion
I ftuar në Ora News, Azgan Haklaj, ish-deputet i Tropojës sqaroi përplasjet që ka pasur Unioni i Artistëve Shqiptarë me ministrinë e Kulturës lidhur me festivalin folklorik të Gjirokastrës.
Haklaj tha se kulturën tonë mijëra vjeçare, iliro-pellazgo-arbnore nuk mund të barazohet në disa dekada të festivalit folklorik të Gjirokastrës.
Haklaj: Nuk është se kemi pasur përplasje me ministrinë e Kulturës, sepse unë jam artist që përpiqet për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare dhe të sjell ADN-në shqiptare. Ne kemi një platformë të hershme për mbrojtjen e identitet shqiptar. Ne kemi kundërshtuar me forcë festivalin folklorik të organizuar në Gjirokastër. Ky festival nuk është organizuar për herë të parë në Gjirokastër, por është organizuar edhe në Tiranë, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.
Arsyetimi ynë ka qenë shumë i thjeshtë; kulturën tonë mijëra vjeçare, iliro-pellazgo-arbnore nuk mund të barazohet në disa dekada të festivalit folklorik të Gjirokastrës. Aq më tepër që ky festival tentonte që të risillte simbole të diktaturës. Tani duan që ta bëjnë në prill me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës.
Haklaj shtoi se UNESCO nuk e ka pranuar, por e ka refuzuar kërkesën e ministrisë së Kulturës për festivalin e Gjirokastrës dhe theksoi se nuk ka informacion nga ministria e Kulturës.
Haklaj: Këto mendime ia kemi shprehur edhe ministres së Kulturës dhe zotit Rama. Sipas informacioneve që kemi, UNESCO nuk e ka pranuar, e ka refuzuar. Dhe e keqja është se nuk ka informacion nga ministria e Kulturës, pra nga ideatorja e këtij dërgimi në UNESCO, që mban edhe përgjegjësi për dështimin e polifonisë. Polifonia nuk u pranua se vendeve te tjera na konkurrojnë dhe iso-polifoninë e kemi, por polifoninë nuk e kemi. Ministria ka dështuar edhe me Eposin e Kreshnikëve. Unioni Artistik Shqiptar sheh Eposin si tharmin e traditës pellazgo-iliro-arbnore si një kalim nga identiteti Ilirik në atë Arbënor në kohën e dyndjeve sllave.