Kombëtarja e vajzave viziton kuqezinjtë në “Shtëpinë e Futbollit”. Presidenti Duka: NE JEMI NJË!
Suksesit të Kombëtares shqiptare po i gëzohet këto ditë e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm. Veç krenarisë, futbollistët kuqezi janë kthyer edhe në motivuesit më të mëdhenj jo vetëm për brezat më të vegjël që luajnë futboll, por edhe për ekipin Kombëtar A të vajzave, që në shtator nisi rrugëtimin në edicionin e ri ‘UEFA Nations League’ për këtë kategori.
Dy Kombëtaret patën një takim shumë të ngrohtë e miqësor pasditen e sotme në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Kuqezinjtë u vizituan në stërvitjen e sotme nga disa prej vajzave të Kombëtares, teksa të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka; Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, stafi teknik i Kombëtares A të djemve, me në krye trajnerin Silvinjo dhe trajneri i Kombëtares A të vajzave, Armir Grima si edhe anëtarja e KE-së, Anila Basha.
Kreu i FSHF-së mbajti një fjalë të shkurtër përpara futbollistëve dhe futbollisteve dhe dha një mesazh shumë të fortë për djemtë e vajzat e ekipit tonë Kombëtar. ‘NE JEMI NJË’ – tha Presidenti Duka, i cili u shpreh se vetëm duke qenë të bashkuar futbolli shqiptar mund të ecë përpara, për të pasur sa më shumë fëmijë futbollistë dhe rezultate pozitive. Ndër të tjera, numri 1 i futbollit shqiptar tha se djemtë dhe vajzat kuqezi janë shembujt më pozitivë në Shqipëri.
“Rezultati i ndeshjes me Çekinë na ka lumturuar të gjithëve, edhe gocat e Kombëtares dhe çdo shqiptar. Ne e duam shumë Kombëtarem, duam fanellën e Kombëtares, pavarësisht se kush e vesh atë. Dhe për këtë jemi këtu: Ne jemi NJË për një qëllim! Për të zhvilluar sa më shumë futbollin në Shqipëri dhe ju jeni shembujt më të mirë. Pa dyshim që fitoret dhurojnë emocion, si ajo fitore me Çekinë. Ajo që është e rëndësishme është që rinia shqiptare, djemtë dhe vajzat e këtij vendi të mendojnë të bëhen si ju, pasi ju jeni shembujt pozitivë të Shqipërisë. Nuk ka Shqipëria shembuj më të mirë se ju, jo vetëm në futboll, djem dhe vajza. Mesazhi im është: ‘Ne jemi NJË’ dhe duke qenë NJË, pa dyshim që do të ecim përpara për të pasur një komunitet akoma edhe më të madh, për të pasur më shumë fëmijë rreth nesh dhe sigurisht të marrim edhe rezultate pozitive. Uroj që t’i realizojmë të gjitha bashkë. Kemi realizuar disa ëndrra, por ato vazhdojnë”, u tha Presidenti Duka djemve e vajzave kuqezi.
Trajneri Silvinjo foli shumë pak, por mesazhi i tij ishte i qartë: ‘Futbolli nuk luhet vetëm’. Numri një i pankinës kuqezi të djemve ritheksoi fjalinë e Presidentit Duka se ‘ne jemi një’ dhe falënderoi vajzat dhe trajnerin Grima për vizitën. “E them gjithmonë: Futbolli nuk luhet vetëm. Kurrë. Luhet bashkë dhe siç e tha Presidenti Duka ‘NE JEMI NJË’. Faleminderit profesor Armir Grimës për këtë vizitë dhe të gjitha vajzave. Është kënaqësi që ju kemi sot këtu mes nesh. Faleminderit President, vajza dhe të gjithë” – tha trajneri Silvinjo.
Edhe trajneri i ekipit A të vajzave, Armir Grima u shpreh se skuadra e djemve është një shembull shumë i mirë edhe për ekipin që ai drejton. Grima tha se edhe Shqipëria e vajzave do të tentojë të ndjekë ekipin e djemve me rezultatet e shkëlqyera.
“Është kënaqësi e madhe që jam këtu sot mes jush. Na keni bërë krenar me çdo rezultat tuajin dhe ju flas jo vetëm në emrin tim, por edhe në emrin e vajzave. Është krenari e madhe që jemi sot këtu mes jush dhe është edhe një shembull i mirë edhe për futbollin e vajzave, sepse në këto momente të mira që është futbolli shqiptar, kemi se çfarë kopjojmë, kemi se çfarë ndjekim dhe ju jeni pararoja. Ne do mundohemi që të vijmë pas jush për të ndjekur këto rezultate të mira e të bukura që keni nderuar jo vetëm veten, por edhe familjet tuaja e gjithë Shqipërinë. Faleminderit shumë për kohën që na kushtuat, besoj se do shihemi në rezultate edhe më të mira” – tha Armir Grima.
Në fund, të dyja ekipet bënë një foto së bashku, ndërsa vajzat tentuan t’i shënon edhe disa gola portierit Etrit Berisha.