Arrestohet Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit në veri të Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha të martën se ka arrestuar ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiçin, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.

Në një njoftim të ministrisë së Brendshme serbe thuhet se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe ai i është dorëzuar Prokurorisë së Lartë në Beograd. Në njoftim thuhet se janë kryer bastisje në pronat e tij, por nuk jepen më shumë hollësi.

Më 29 shtator ai mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer policie. Tre pjesëtarë të grupit të tij mbetën të vrarë pas përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën e 24 shtatorit.

Sulmi u cilësua si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kërkuan vënien e sulmuesve para drejtësisë. Prishtina akuzoi Beogradin për mbështetjen dhe pajisjen e grupit që kreu sulmin.

Milan Radoiçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara që nga dhjetori i vitit 2021, tha të premten në një deklaratë të transmetuar nga avokati i tij se “nuk e ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Serbisë, strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë prej tyre”, për sulmin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili mohoi lidhjet me grupin e armatosur, tha se organet përgjegjëse serbe do të ndërmarrin veprime ndaj Milan Radoiçiçit dhe do të hetojnë ngjarjet e së dielës, duke akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.

Sulmi i 24 shtatorit është ngjarja më e rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë fundjavës shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.

Beogradi mohoi të ketë ngritur shkallën e gatishmërisë së trupave, por pohoi se e ka ulur praninë e tyre në zonën përreth kufirit të Kosovës.

SHKARKO APP